Shqipëria vetëm sa indeksoi pensionet, si vendet e tjera ndihmojnë qytetarët përballë çmimeve të larta?

Nga Marinela Lina
2 Nëntor 2023, 14:35 | Ekonomi

Si në vendet e tjera të Evropës, por dhe në Shqipëri kriza inflacioniste vijojnë të ndikojë në ekonominë e vendeve duke u përkthyer kështu në çmime të larta. Por përballë presioneve të tilla të cila kanë efekt të drejtpërdrejtë tek konsumatorët, vendet e BE-së zgjodhën politika rimbursimi.

Kjo është fatura e një qytetari të punësuar në Gjermani. Në llogarinë e tij për vitin 2023 u shtua dhe vlera e kompensimit për inflacionin. Për një vit, një qytetar gjerman u kompensua gjithsej me 750 euro.

Rafael Todhe jurist dhe rezident në Gjermani tregon edhe politikat që shteti gjerman vijon të ndërmarri.

“Për personat që janë të punësuar ka pasur lehtësime. Ka një limit vjetor në Gjermani nuk paguan taksa. Ka rritur ndihmën për familjet që kanë fëmijë. U dha gjithashtu dhe bonus për të punësuarit rimbursim 300 euro për energjinë elektrike. Gjithashtu, vendosi kufij për energjinë elektrike. Qiraja është ndjerë më shumë dhe më pas konsumimi vjen më pas dhe kur janë rritur të gjitha çmimet ai produkt në supermarket të duket edhe më i shtrenjtë”, thotë Todhe.

Të tjera shtete si ndihmë për krizën inflacioniste u ndalën te çmimet. Qeveria italiane nëpërmjet një ligji vendosi uljen e çmimeve me 10%, duke përllogaritur kështu një kursim deri në 150 euro në muaj për qytetarët. Vet qytetarët që jetojnë atje shprehen të kënaqur nga këto masa.

“Jetoj në Torino në Itali, përfituam në çdo gjë në drejtim të energjisë në drejtim të Ujit. Qeveria Italia vuri 23 miliardë euro në dispozicion buxhetin e kaluar. Atë 10% e ushqimeve normal që e ndjemë, por më vjen keq këtu në Shqipëri nuk bëhet asgjë”, thotë Besnik Dyrmishi, rezident në Itali.

Ndërsa Franca ndihmën më të madhe për qytetarët po e jep në drejtim të qirasë ku dhe ata kanë mundësinë të rimbursohen.

“Është shumë më e nevojshme rimburismi që duhet të ofrojë shteti për këto kategori, shumë vende të tjera ka dhënë ndihmë për aspektin shëndetësor apo dhe banesat. Për shtresat në nevojë atje ku jetojnë ju kthehet nëpërmjet subvencionimit nga shtetit. Kostot e qirasë mund të jenë të larta, por ne aplikojmë dhe na bëhet një rimburism në bazë të të ardhruave që kemi deklaruar”, shprehet Edison Zaçaj, studiues shqiptar në Francë.

Në Shqipëri teksa inflacioni vijoi rritjen në shtator duke arritur në 4.1%, por ushqimet dhe pijet janë dhe kategoria të cilat ndikuan më shumë.

Prezenca e inflacionit të lartë në vend u konfirmua edhe nga vet guvenatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko i cili deklaroi rritjen e normës së interesit deri në 3.25%.

Politika që qeveria shqiptare ndërmori në ndihmë të qytetarëve është vetëm indeksimi i pensioneve në masën 8.6% e përkthyer nga 900-1500 lekë në xhepat e tyre.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu