Banka e Shqipërisë rriti me 0,25 për qind normën bazë të interesit duke e çuar atë në 3,25 për qind. Kjo është rritja e parë që prej muajit mars të këtij viti.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko e argumentoi vendimmarrjen me krizën e çmimeve e cila vijon të ndihet e fortë nga qytetarët.
“Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se reduktimi i stimulit monetar, përmes normalizimit të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare, është një masë e nevojshme për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit të ardhshëm”, tha Gent Sejko, Guvernatori i bankës së Shqipërisë.
Teksa paralajmëroi se Banka e Shqipërisë mund të rrisë më tej normën e interesit në varësi të inflacionit, Sejko tregoi edhe mbi parashikimet e institucionit që ai drejton mbi kursin e këmbimit.
“Kursi i këmbimit të lekut ka shfaqur një qëndrueshmëri në rritje gjatë muajve të fundit, ndërsa tregu valutor ka funksionuar i qetë dhe me parametra aktiviteti normale. Kjo ecuri sugjeron stabilizimin e raporteve të kërkesës dhe ofertës për valutë rreth niveleve aktuale të kursit. Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se këto trende do të vijojnë edhe në periudhën e ardhshme”, tha Sejko.
Këto parashikime Banka e Shqipërisë i mbështet te pritshmëritë për një rritje të konsiderueshme ekonomike dhe në vijim. “Ritmi i rritjes ekonomike pritet të shënojë një ngadalësim të lehtë gjatë vitit të ardhshëm, si pasojë e kontekstit ekonomik botëror dhe kushteve më të shtrënguara të financimit, por ai pritet t’i rikthehet ritmeve të tija historike në vitet në vijim”, tha Sejko.
Pas një rënie 3-mujore, inflacioni, treguesi i zhvlerësimit të lekut përballë çmimeve u rrit në shtator në 4.1 për qind nga 4 për qind që ishte në gusht. (A2 Televizion)