Të gjitha ndryshimet fiskale, kategoritë që do të paguajnë më shumë dhe më pak taksa vitin e ardhshëm

Nga Marjo Brakaj
1 Nëntor 2023, 15:29 | Ekonomi

Të gjitha ndryshimet fiskale, kategoritë që do të

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, rreth 16 mijë e 700 avokatë, noterë, agjentë imobiliarë, dentistë, mjekë, IT apo guida turistike do të paguajnë 3 miliardë lekë taksa. Ndryshime fiskale të kundërshtuara më herët nga profesionistët e lirë janë përfshirë tashmë në Paketën Fiskale 2024. Gjithashtu, ministria e Financave dhe Ekonomisë pret të mbledhë edhe 2 miliardë lekë të tjera nga bastet sportive “online”.

 “Në fakt paketa reale fiskale u miratua gjatë vitit me aprovimin e disa nismave si Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” apo “Lojërat e Fatit” dhe ligje të tjera që janë në proces të cilat përbëjnë atë që njihet si të ardhura tatimore. Këto në total përbëjnë Paketën Fiskale”, tha Eduart Gjokutaj, ekspert kontabël.

Një tjetër ndryshim është rritja e taksës së karbonit mbi industrinë e rëndë të hekurit, çimentos apo ferro-kromit e cila nga 3 lekë për kilogram do të rritet në 15.3 lekë deri në vitin 2030. Nga kjo politikë, qeveria pritet të arkëtojë 140 milionë lekë më shumë. Nga ana tjetër kriza e çmimeve ka detyruar qeverinë që të tërhiqet nga indeksimi i akcizës duke vendosur një tavan maksimal në nivelin 1.5 për qind.

 “Në mendim tim do të ishte më e udhës që ndryshimet në akcizë të përfshinin kategori mallrash të tjera në kahun lehtësues. Duhej që paraprakisht të rriheshin mendimet mes ekspertëve, përfaqësuesve të bizneseve dhe institucioneve”, tha ai.

Ndërkohë për të inkurajuar zgjerimin e blegtorisë dhe bletarisë, vitin e ardhshëm nuk do të paguhet Tatim mbi Vlerën e Shtuar në import për mëshqerrat dhe bletët.

 “Po këto janë disa masa që synojnë të nxisin agro-bujqësinë dhe janë periferike në raport me ndryshimet e mëdha në paketën fiskale 2024”, shtoi Gjokutaj.

Nga ana tjetër, ekspertët vlerësojnë se paketa fiskale e vitit të ardhshëm, para se të miratohet nga Parlamenti duhet të pësojnë ndryshime duke ofruar lehtësi për dy nga sektorët më të mëdhenj në vend.

 “Duhet absolutisht që bujqësia dhe turizmi të kenë lehtësi fiskale Ende nuk e kanë arritur atë shkallë që qeveria të ndërmarrë politika për të vjelë të ardhurat”, përfundoi eksperti.

Ndryshimet fiskale të vitit të ardhshëm përfshijnë edhe futjen e në sistemin e tatimeve të të ardhurve nga rrjetet sociale, dhënia me qira e apartamenteve dhe sigurimi i detyrueshëm nga tërmetet.

 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi