Thyhet besimi në ekonomi, tregtarët dhe bizneset e shërbimeve më pesimistë, industria e demoralizuar

Nga Marjo Brakaj
1 Nëntor 2023, 12:21 | Ekonomi

Vjeshta ka thyer pritshmëritë optimiste të shfaqura nga bizneset në gjysmën e parë të vitit. Pavarësisht shifrave rekord të turistëve, besimi i sipërmarrjeve në fushën e tregtisë në tetor ra me 2.2 pikë, duke thelluar kështu pesimizmin e shfaqur në shtator.

Pritshmëri jo të mira raportuan edhe bizneset në fushën e shërbimeve ku përfshihen supermarketeve, baret e restorantet në pyetësorin e Bankës së Shqipërisë.

“Kjo pasi kjo kategori biznesesh nga 1 janari nuk do të trajtohet më si deri tani. Ndryshimet fiskale do të sjellin më shumë kosto për këto sipërmarrje duke bërë që ato të shfaqin pritshmëri më pak optimiste”, Mira Pogaçi, drejtuese e Shoqatës Tregtare të Shqipërisë.

Rënia më e thellë e besimit në ekonomi është regjistruar tek industria. Treguesi i ndjesisë ekonomike te ky sektorin për muajin e sapo lënë pas u tkurr me 3.7 pikë.

“Te ky sektor arsyet kryesore lidhen me krizën e punonjësve dhe kostot e larta të prodhimit që po e zhysin sektorin në demoralizim”, shtoi ajo.

Të vetmit që mendojnë se ekonomia po shkon mirë, të paktën bazuar tek anketa e muajit të shkuar të Bankës Qendrore rezultojnë konsumatorët. Treguesi që mat aftësinë e këtyre të fundit për të kryer shpenzime te kjo kategori u rrit me 2.8 pikë.

Megjithatë, ekspertë të fushës vlerësojnë se edhe këtu pritshmëritë mund të përmbysen shpejt nëse qeveria nuk merr masa konkrete në projektbuxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2024.

“Mund të ketë rishikim të TVSH-së të paktën për kategorinë e ushqimeve bazë të familjeve shqiptare”, përfundoi Pogaçi.

Me gjithë pritshmëritë më të mira të qytetarëve shqiptarë, besimi i përgjithshëm në ekonomi për muajin e shkuar ra në 110.9 pikë duke regjistruar kështu nivelin më të ulët në tetë muajt e fundit.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli