Buxheti për turizmin, më pak para për sektorin në 2024. Fondet drejt pyjeve dhe mbetjeve

Nga Marjo Brakaj
4 Nëntor 2023, 19:31 | Ekonomi

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të ketë në dispozicion një fond prej 3.5 miliardë lekësh, ose 900 milionë lekë më shumë se një vit më parë. Por, paratë që do shkojnë vetëm për zhvillimin e sektorit janë parashikuar të jenë 36 milionë lekë më pak në vitin 2024.

Leonard Seferi, ekspert i turizmit, shprehet për A2 CNN: “Vihet re fatkeqësisht një vullnet joreal, jonkret, për t’i dhënë shtysë lokomotivës së ekonomisë sonë. Marrim parasysh faktin ku turizmi është një sektor që na i sjell fitimet financiare shumë shpejt, ku të rinjtë mund të punësohen, por mesa duket ky fond është ndarë në mënyrën jo të duhur”.

Kliton Gërxhani, ekspert i turizmit, thekson: “Do doja që investimet të shtoheshin se mund të themi që të ardhurat nga turizmit sivjet ishin më të larta. Ka nevojë shumë për të rritur standartet e shërbimit të turizmit”.

Përballë një buxheti më të ulët, ekspertët ngrenë shqetësimin e problematikave që çdo sezon ka.

“Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në zona të caktuara, i rëndësishëm investimi i shtetit në shtimin e burimeve njerëzore në turizëm. Kemi nevojë për shkollat e mirëfillta të turizmit në të gjithë vendin”, deklaron Gërxhani.

Më shumë para nga buxheti i shtetit do të shkojnë për mbrojtjen e mjedisit, administrimin e pyjeve, por dhe mbetjet urbane. Seferi shprehet: “Bazuar dhe në çfarë ka ndodhur deri më tani, fatkeqësisht nuk japin shumë premisa që këto para të përdoren në vendin e duhur”.

“Të tentojmë të jemi kampion në cilësi dhe që të bëhesh ka shumë nevojë të investosh këtu dhe jo tek sasia”, shton Gërxhani.

Në objektivat afatgjatë, Ministria e Turizmit synon të arrijë deri në 2026 për zhvillimin e këtij sektori në vend, rritjen e punësimit, të strukturave akomoduese, bizneseve të agroturizmit, rritjen e numrit të turistëve në zonat e mbrojtura. Një turizëm gjtihëvjetor, por edhe rritjen e kontributit të turizmit në PBB në 32% deri në 2026, janë disa nga synimet kryesore të këtij institucioni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos