Ekonomia shqiptare po kalon ndoshta “ditët më të mira ndonjëherë”, por qeveria po kërkon të shtojë borxhet. Vitin e ardhshëm vendi pritet të dalë në tregjet e huaja për të marrë 500 milionë euro hua.
Ministria e Financave ka nisur procedurat për një firme të specializuar në dhënien e këshillave ligjore për emetimin e Eurobond-it.
“Nuk pritej marrja e një borxhi të ri në tregun e huaj pasi nuk janë kushtet më të mira. Kjo në një kohë që qeveria po përpiqet të joshë qytetarët që të investojnë te letrat me vlerë”, tha për A2 CNN, eksperti i ekonomisë Flobens Dilaveri.
Në garën e shpallur thuhet se ky eurobond që pritet të emetohet në muajit e parë të vitit 2025, do të përdoret për të mbuluar nevojat qeverisë, si për financimin e borxhit të kaluar ashtu edhe për shpenzime të tjera e mbështetje buxhetore.
“Unë do të thosha që nuk është shërbimi i borxhit arsyeja kryesore. Besoj se më shumë lidhet me faturat e papaguara apo investime të planifikuara, ende të parealizuara”, shtoi eksperti i ekonomisë Flobens Dilaveri.
Duke qenë se pas reduktimit të inflacionit bankat qendrore po lehtësojnë politikat e tyre monetare duke ulur normat bazë të interesit, borxhi mund të merret me një kosto më të ulët se ai i emetuar vjet, por ekspertët gjykojnë se situata në tregjet e huaja ende nuk është e stabilizuar, raporton A2 CNN.
“Mbetet për t’u parë norma e interesit që do të merret. BQE e ka ulur me vetëm një herë normën, bazë. interesat mbeten ende të larta”, nënvizon Dilaveri.
Kjo do të ishte hera e shtatë që nga viti 2010 që vendi del në tregjet e huaja për të marr borxh. Deri më tani vlera e Eurobondeve shkon në 3.15 miliardë euro, shkruan A2 CNN.
Të dhënat nga “financat” tregojnë se aktualisht në portofolin e borxhit shtetëror janë 4 Eurobonde në vlerën totale prej 2.4 miliardë euro apo rreth 255 miliardë lekë. (A2 Televizion)