Meteorologia Tanja Porja paralajmëroi se vendi do të përfshihet nga mot i paqëndrueshëm gjatë ditës së sotme, me rrezik për stuhi afatshkurtra në pjesën më të madhe të territorit.
Në një lidhje për emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, Porja tha se kushtet atmosferike janë tipike për zhvillimin e stuhive, ndërsa era po forcohet gradualisht, veçanërisht në det dhe përgjatë vijës bregdetare.
“Është mjaft freskët mëngjesi i sotëm, nga momenti në moment mund të ketë stuhi në çdo zonë të territorit shqiptar. Janë tamam kushtet sinoptike si para stuhisë në të gjithë territorin shqiptar, era gradualisht po forcohet, kryesisht në det dhe në brigjet detare. Deri rreth orës 17:00 pasdite, 80 për qind e territorit shqiptar rrezikohet nga stuhi afatshkurtra me rrebeshe shiu. Termometri ka shënuar një rënie të ndjeshme sot në mëngjes, kemi minimumi 10 gradë në zonat malore dhe maksimumi jo më shumë se 28 apo 29 gradë Celsius, dhe kjo në zona të izoluara. Era do të jetë shpesh herë e fortë, edhe gjatë gjithë fundjavës, kryesisht në hapësira detare dhe brigjet detare. Për pjesën e parë të ditës presim fuqizim të vranësirave në të gjithë territorin shqiptar dhe rrjedhimisht presim rrebeshe afatshkurtra, fillimisht në skajin verior e jugor dhe më pas fuqizohen në zonat qendrore”, u shpreh meteorologia.
Sipas Porjës, temperaturat kanë pësuar rënie të ndjeshme krahasuar me ditët e fundit. Në zonat malore ato zbresin deri në 10 gradë Celsius, ndërsa në pjesën tjetër të vendit vlerat maksimale nuk pritet të kalojnë 28-29 gradë. Edhe gjatë fundjavës pritet të vijojë moti me erë të fortë, kryesisht në zonat bregdetare dhe në det.
(A2 Televizion)