Formulë e re për ndihmën ekonomike, vetëm 3% e popullsisë doli nga varfëria

Nga Marinela Lina
21 Nëntor 2023, 11:23 | Ekonomi



Vlerë e ulët monetare për familjet në nevojë, përjashtuese e kategorive në zonat rurale, por edhe e papërgatitur me fonde emergjence. Për këto arsye kryesore, skema e ndihmës ekonomike nuk po ndihmon familjet shqiptare të dalin nga varfëria. Vetëm 3% e popullsisë ia dolën të kapërcejnë skamjen gjatë vitit 2022. 

“Kam nënën me 150 mijë lekë pension, çfarë do bëjë më parë me ato lekë? E sëmurë është dhe çmimet janë shumë të larta”, thotë një qytetar.

Edhe në draftin e parë të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë për mbrojtjen Sociale 2023-2030 pranohet se skema e ndihmës ekonomike ka pasur një ndikim të kufizuar në uljen e varfërisë. 9% e popullsisë rezulton përfituese nga programi i ndihmës ekonomike, 70% e të cilës e përqendruar në Elbasan, Dibër, Korçë dhe Kukës, si rajonet më të varfra. Teksa numri i qytetarëve në nevojë mbetet i lartë, pagesën aktuale ekspertët e ekonomisë e quajnë tepër të ulët.

Suzana Guxholli, eksperte ekonomie, shprehet: “Në vend që të ndihmojë popullsinë që të çlirohet nga varfëria, ka bërë të kundërtën”.

Skema e deritanishme e përllogaritjes favorizon zonat urbane, por përjashton ato rurale ku dhe nevoja është më e lartë, ndaj ajo llogaritje pritet të ndryshojë. Por, në rrafshin social ekspertët thonë se nuk mjafton vetëm mbështetja e drejtpërdrejtë. Qytetarët kanë nevojë edhe për më shumë shërbime.

Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar në buxhetin e vitit 2024 për rreth 64 mijë, familje parashikohen në nivelin 26.25 miliardë lekë ose 1.1% e PBB. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos