"Jemi në negociata", Ibrahimaj: Ka nisur puna në Sazan, Zvërneci ende pa projekt

Nga Marjo Brakaj
29 Qershor 2026, 16:11 | Ekonomi

Brenda verës, qeveria do ta hedhë për konsultim publik ligjin e ri për investimet strategjike, i përshtatur me rregullat dhe standardet e Bashkimit Evropian. Ligji për investimet strategjike është miratuar në vitin 2015, me një afat 3-vjeçar, por pas disa shtyrjeve, afati i tij skadon në dhjetor të këtij viti.

Kemi marrë përsipër që brenda këtij viti të miratojmë ligjin e ri për investimet. Ne po bëjmë një analizë për të gjitha vendet e BE-së mbi stimujt që ato kanë, me qëllim tërheqjen e investimeve në vendet e tyre. Brenda verës do të fillojmë një proces konsultimi për ligjin e ri për investimet, sipas standardeve të BE-së, si dhe për tërheqjen e investimeve në zonat e disavantazhuara.”

Në konferencën për mediat, ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ritheksoi edhe një herë se për Zvërnecin ende nuk ka një projekt të miratuar.

“Kemi filluar punën për të bërë disa veprime lidhur me zhvillimin e zonës së Sazanit. Është një ishull që do të mbetet në pronësi të shtetit shqiptar. Në atë projekt, shteti shqiptar do të përfshihet si bashkëinvestitor dhe bashkëpronar. Jemi duke negociuar me kompaninë për sa i përket përqindjes që shteti do të ketë në zhvillimin e projektit. Sapo të kemi një pasqyrë të qartë, gjithçka do të bëhet transparente.

Ndërsa për Sazanin po diskutohet për përqindjen e investimit që do të ketë shteti, duke qenë se do të jetë bashkëinvestitor.

“Ende nuk kemi një projekt për Zvërnecin. Po punohet nga arkitektë dhe ekspertë të mjedisit për të hartuar një projekt që do të përmbushë standardet e BE-së për sa i përket mbrojtjes së mjedisit dhe që do të bëjë të mundur realizimin e investimit më të madh që kemi pasur në turizëm, në nivelin e 4 miliardë eurove. Për një ekonomi që ka një prodhim të përgjithshëm prej 27 miliardë eurosh, një investim prej 4 miliardë eurosh përbën një nxitje shumë të madhe për ekonominë vendase.”

Ibrahimaj garantoi, ndërkohë, se nëse treguesit ekonomikë do të sinjalizojnë një rritje të ndjeshme të çmimeve, qeveria do të ndërmarrë masa të reja mbështetëse për pensionistët dhe shtresat më në nevojë.

Indeksimi i pensioneve nuk do të bëhet më në tetor, por në korrik. Sot inflacioni është në nivelin 3% dhe nuk gjykohet se jemi në kushtet kur rritja e çmimeve është e papërballueshme. Por, kur të vlerësojmë se ka një rritje të çmimeve përtej asaj që mund të përballojnë pensionistët ose shtresat në nevojë, ne do të jemi aty për të marrë masat e nevojshme dhe për t’i mbështetur.”

Ministrja Ibrahimaj u ndal edhe te situata aktuale ekonomike, të cilën e konsideroi të qëndrueshme dhe me rritje mbi pritshmëritë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos