Ndryshimet apo kapriçot e motit nga viti në vit jo vetëm që po bëhen më të shpeshta, por po dëmtojnë seriozisht edhe prodhimet bujqësore. Aktiviteti i fermerëve që kultivojnë kulturat bujqësore, që ndryshe quhet edhe si shtëpia pa çati, vitet e fundit ka pësuar dëme të konsiderueshme ekonomike për shkak të motit, veçanërisht në juglindje të vendit, ku janë goditur si nga përmbytjet ashtu edhe nga ngricat e pazakonta në pranverë.
Për këtë arsye fermerët kërkojnë që shteti të mendojë seriozisht skema të mbështetjes apo sigurimit të prodhimeve bujqësore ndaj dëmeve që vijnë nga kushtet atmosferike, shkruan A2 CNN.
“Është shumë e vështirë sepse kompanitë e sigurimit mbajnë përsipër vetëm breshrin, por ne me shumë kemi përveç breshrit na janë shtuar edhe fatkeqësitë natyrore të temperaturave të ulëta në periudhën e lulëzimit”, thonë fermerët.
Drejtori i Drejtorisë së Ekstensionit Bujqësor në Korçë propozon një skemë që bën palë në bashkëfinancimin e dëmeve në bujqësi fermerët dhe Ministrinë e Linjës. “Në qoftë se të gjithë fermerët angazhohen për të bërë një pagesë minimale dhe kjo pagesë të grumbullohet në një fond bashkë me fondet që qeveria shqiptare apo Ministria e Bujqësisë do të vërë, të menaxhohen nga kjo shoqëri”, thotë Vullnet Gjolla.
“Dhe duke parë ku do të jenë dëmet konsiderueshme sikur mbase 100% të dëmit jo, por qoftë edhe pjesën e shpenzimit që fermerët e asaj zone që do dëmtohen të marrin nga kjo shoqëri do të lehtësonte maksimalisht pjesën e shpenzimeve apo edhe më shumë dëmet që krijohen tek fermerët nga fatkeqësitë natyrore”.
Fermerët kërkojnë që sigurimi bujqësor të mos mbetet më vetëm një premtim, por të kthehet sa më shpejt në një mekanizëm konkret mbështetës për çdo familje që jeton nga toka. (A2 Televizion)