Vijon alarmi i kuq në Europë! Me qindra të vdekur nga vapa, Franca ndalon alkoolin

Nga Rosalba Bejdo
26 Qershor 2026, 15:26 | Bota

Autoritetet franceze kanë ndaluar konsumimin dhe shitjen e alkoolit në ambiente publike në Paris, në përpjekje për të ulur presionin mbi spitalet, të cilat po përballen me një fluks të madh pacientësh për shkak të valës ekstreme të të nxehtit.

Ndalimi i konsumit të alkoolit në rrugë do të jetë në fuqi nga mesdita deri në orën 7 të mëngjesit gjatë fundjavës, ndërsa shitja e pijeve alkoolike për t’u marrë me vete do të ndalohet nga ora 18:00 deri në 07:00.

Baret dhe restorantet nuk preken nga këto masa. Kryeministri francez Sébastien Lecornu ka ngritur nivelin maksimal të alarmit shëndetësor, duke aktivizuar planin e emergjencës për të rritur personelin në spitale dhe për të mbrojtur grupet më të rrezikuara.

Autoritetet paralajmërojnë se njësitë e kujdesit intensiv janë pranë kapaciteteve maksimale.

“Po jetojmë një periudhë krejtësisht të paprecedentë, një fakt që duhet ta pranojmë me përulësi. Ne jemi përshtatur me ngrohjen globale, por nuk ka përshtatje për një kulm të tillë të vapës në Evropë, pa precedent në historinë tonë, me temperatura që për periudha të zgjatura arrijnë deri në 15 gradë mbi mesataren sezonale”, tha presidenti Macron.

Ministrja e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, u bëri thirrje qytetarëve të shmangin aktivitetet fizike në temperatura të larta, duke theksuar se rreziku nuk prek vetëm të moshuarit, por edhe të rinjtë. Sipas saj, shërbimi i ambulancës në Paris ka regjistruar katër herë më shumë raste arresti kardiak se zakonisht gjatë 24 orëve të fundit.

Një fëmijë 3 vjeç u gjet i vdekur në një makinë pranë kryeqytetit, pak ditë pas një rasti të ngjashëm me dy të mitur të tjerë. Rreth 50 mijë vetë janë pa energji për shkak të temperaturave të larta.

Në Spanjë janë raportuar mbi 200 vdekje të mundshme të lidhura me vapën vetëm brenda pak ditësh.

Në Itali, muzeu Uffizi ka pezulluar shitjen e biletave për shkak të sistemit të dobët të ftohjes, ndërsa në disa rajone temperaturat pritet të kalojnë 40 gradë në fillim të javës.

Vala ekstreme e të nxehtit që po përvëlon Francën, Spanjën dhe Britaninë e Madhe prej ditësh pritet të zhvendoset drejt lindjes me Gjermaninë dhe Çekinë që po përgatiten për kushte ekstreme dhe temperatura 40 gradë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos