Kusht për anëtarësimin në BE, BSH marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Evropiane të Investimeve

Nga Marjo Brakaj
23 Janar 2025, 19:13 | Ekonomi

Shqipëria është në miljet e fundit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe sistemi bankar mund t’i japë një tjetër hov këtij procesi. Para se të trokasë në dyert e Bashkimit Europian, Shqipëria duhet të jetë gati. Për një “po” në vend të një “jo”-je, vendi duhet fillimisht të integrohet ekonomikisht dhe në qendër të ketë financat dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

“Nënshkrimi i sotëm i marrëveshjes për zhvillimin e sistemeve financiare të gjelbra në Shqipëri, shënon një hap të rëndësishëm në përafrimin e vendit me Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së dhe agjendën e saj për financat e qëndrueshme, e cila është gjithashtu pjesë e procesit të integrimit dhe negociatave të Shqipërisë me BE-në”, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

“Mundësitë e kushtëzuar nga sfidat” në rrugën e vështirë të anëtarësimit në “union” me objektiv ambicioz vitin 2030 pranohet edhe nga institucionet ndërkombëtare. Ndaj për të lehtësuar rrugëtimin, vendi do të ndihmohet nga Banka Europiane e Investimeve. 

“Përmes Programit për Sistemet Financiare të Gjelbra të BEI-ve, ne do të zhvillojmë një taksonomi të gjelbër dhe do të forcojmë kuadrin rregullator për adresimin e rreziqeve klimatike. Taksonomia e gjelbër do të shërbejë si një udhërrëfyes për klasifikimin e aktiviteteve të qëndrueshme, duke ndihmuar në kanalizimin e fondeve drejt projekteve që kanë një ndikim pozitiv në mjedis dhe duke rritur transparencën për investitorët dhe institucionet financiare.”

Banka e Shqipërisë dhe Banka Evropiane e Investimeve, nënshkruan marrëveshjen të bashkëpunimit mes dy institucioneve financiare. Në ceremoni morën pjesë edhe Zv.Presidenti i Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Groot si dhe Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Hubert Per. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos