Tatimi i të ardhurave nga shitja e pronave, zbritja 1% do aplikohet dhe për garazhet, fabrikat apo uzinat

Nga A2 CNN
18 Janar 2024, 17:57 | Ekonomi



Zbritja 1 për qind për çdo një vit vjetërsi mbi tatimin në rast të shitblerjeve të pasurive, veç apartamenteve, do të aplikohet edhe për garazhet, dyqanet, fabrikat, magazinat apo depot.

“Një favor të madh do të kenë godinat  vjetra, ish-fabrikat apo ish-uzinat ende të pa-privatizuara. Aty do të aplikohet deri në 50 për qind zbritje”, tha eksperti Erjon Alimema.

Nga tatimi i kalimit të pasurisë ndërkohë do të përjashtohen ndërtuesit, investitorët dhe apartamentet që dhurohen brenda një rrethi të ngushtë familjar.

“Ky rregull vlen vetëm për kontratën e dhurimit për herë të parë. Pas kësaj rëndon tatimi 15 për qind që vlen edhe për rastet e tjera”, shton Alimema.

Udhëzimi i Ministrisë së Financave dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, publikuar tashmë në fletoren zyrtare, përcakton ndërkohë se zbritja nuk do të jetë më shumë se 30 për qind e çmimeve të referencës.

Kjo me kushtet që kontrata e shitblerjes të përmbajë vlerën e shitjes së pasurisë, sipërfaqen për metër katrorë, certifikatën e pronësisë dhe hartën, planimetrinë apo dokumentet e tjera të nevojshme.

Megjithatë paqartësitë nuk mungojnë, dhe kjo mund të pengojë veçanërisht procesin e kreditimit vlerësojnë ekspertët.

“Ne nuk e dimë se si do të vlerësohen nga vlerësuesit e bankave. Kur dikush do të aplikojë për një kredi dhe do të lejë për kolateral një pronë që ka 20 apo 30 vite. Nuk e dimë se si do pritat nga banka, tani që udhëzimi merr parasysh amortizimin e tyre”, shton eksperti.

Sipas udhëzimit të ri, për një banesë në rrugë “Mine Peza” të ndërtuar në vitin 2004, me sipërfaqe 85 m2 e çmim reference të zonës 163 mijë e 600 lekë, do të aplikohet një ulje 1 për qind për çdo një vit vjetërsi.

Pra në këtë rast, mbi referencën do të aplikohet një ulje totale pre 19 për qind dhe kalimi i pronësisë do të bazohet me një çmim total reference 11 milionë e 265 mijë e 860 lekë nga gati 14 milionë që do të ishte pa këtë zbritje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos