Struktura e Posaçme i kërkoi gjykatës të dënojë me 4 vite burg Vangjush Dakon, ish-kryetarin e Bashkisë Durrës. Sipas SPAK, Dako duhet të fajësohej për "shpërdorim të detyrës" në dy raste. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar i kërkuar ishte 2 vjet e 8 muaj burg.
Në një seancë ku Dako nuk ishte i pranishëm, prokurori Sotir Kllapi tha se ish-kryebashkiaku kishte shpërdoruar detyrën, duke bërë legalizimin e një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga Bashkia Durrës, shkruan A2 CNN.
Sipas SPAK, zbardhja e vendimit të KRT është zbardhur 2 vjet pas përfundimit të ndërtimit dhe se në praktikën e legalizimit janë paraqitur dokumente të falsifikuara.
Në episodin e dytë, sipas SPAK, Dako ka shpërdoruar detyrën gjatë procedurës tenderuese të projektimit të një shëtitoreje në qytetin bregdetar. Prokurori Kllapi tha se grupi i punës ka bërë një llogaritje të gabuar, duke sjellë rritje të kostos dhe dëm në buxhetin e shtetit. Sipas SPAK, Dako nuk ka ndërhyrë, ndonëse shkelja është konstatuar edhe nga një raport i KLSH.
Në llogaritjen e dënimit të Dakos, SPAK i kërkoi gjykatës të mbajë parasysh gjendjen e tij ekonomike, statusin social, faktin që ishte vënë në dijeni të shkeljeve nga KLSH, por edhe faktin që ka drejtuar Bashkinë Durrës për një kohë të gjatë.
Për tre të pandehurit e tjerë të çështjes, Fatmir Ejupi, Fiqiri Farruku dhe Ardian Bulku u kërkua fajësi për akuzën e "falsifikimit të dokumenteve" dhe dënim me nga 3 vjet burg. Përveç uljes së një të tretës, SPAK kërkoi pezullim të dënimit me burg për të pandehurit Farruku e Bulku. Në seancën e radhës, më 21 nëntor, gjykata do të njihet me konkluzionet e mbrojtjes.
Për llogari të këtij hetimi, ish-kryebashkiaku i Durrësit u arrestua në qershor 2023. Ai qëndroi në "arrest në burg" deri në shkurt 2024, kur masa ndaj tij u zbut në "arrest shtëpie" për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit. (A2 Televizion)