"Alo, më kanë..."- RENEA me litarë në banesë, zbardhet ngjarja në Astir. 5 djem dhe 3 vajza mes armëve dhe kokainës

Nga A2 CNN
10 Janar 2025, 10:38 | Kronikë

"Alo, më kanë..."- RENEA me litarë në banesë,

Për ngjarjen e një dite më parë në Astir, ku pasi një vajzë alarmoi Policinë se ishte rrëmbyer dhe u desh ndërhyrja e forcave RENEA për ta nxjerrë nga banesa, policia ka shpallur në kërkim 5 djem, të cilët kanë qenë në apartament dhe kanë konsumuar gjatë gjithë natës kokainë, në shoqërinë e 3 vajzave, mes tyre edhe 21-vjeçarja në fjalë. Mësohet se personat në fjalë janë nga Vlora dhe janë me precedent të mëparshëm kriminal.

Burime për A2 CNN bëjnë me dije se Joni Sadikaj, është i dashuri i vajzës, dhe një nga djemtë e shpallur në kërkim.

Në vitin 2017, Sadikaj bashkë me 4 djem të tjerë është arrestuar në Kavajë për tentativën e transportimit të 1.3 tonë kanabis drejt Italisë. Në atë kohë, ai është hetuar nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ndërkohë një vit më parë ai është arrestuar për armëmbajtje pa leje.

Vajza, në dëshmi, pasi është qetësuar, ka deklaruar se nuk është dhunuar dhe ka shkuar vetë me dëshirë te shtëpia me djemtë, ndryshe nga versioni i parë që ka dhënë kur ka telefonuar policinë.

Sipas saj, është frikësuar në momentin që ka parë njërin prej djemve me pistoletë me pistoletë dhe ka njoftuar blutë. Aktualisht, në pyetje po merret njëra prej vajzave që kanë qenë brenda apartamentit, për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë-Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për shtetasen S. Q. që kërkoi ndihmën e Policisë, ndërkohë që ndodhej në katin e tetë të një pallati në Astir, bëjmë me dije se:

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit:

S. S., 29 vjeç, A. A., 36 vjeç dhe O. A., 31 vjeç, të tre banues në Tiranë; J. S., 26 vjeç, banues në Tepelenë; dhe A. J., 40 vjeç, banues në Vlorë.

Nga veprimet e para hetimore të kryera për këtë rast dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., në apartamentin ku ndodhej, i marrë me qira ditore.

Gjithashtu, ishte marrë me qira ditore apartamenti përballë në të cilin shërbimet e Policisë, ditën e djeshme, gjetën gjatë kontrollit, 2 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera personale që do t’i shërbejnë hetimit.

Vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim. Gjithashtu, vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos