Gazetari Elkier Bushkolaj, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, kujtoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili në prezantimin e ministres së Brendshme, Albana Koçiu, u shpreh se ajo do të merrej më shumë me çështje si adresat dhe jo me policinë.
“Kur Edi Rama prezantoi ministren Koçiu tha se do të jetë për adresat dhe jo për policinë. Ky ishte mesazh i qartë që policia ishte në dorë të dikujt tjetër. Kjo tregon vullnetin e instancave për të luftuar krimin. Për hir të së vërtetës, Policia e Shtetit është vetëm një pjesë e armatës në luftën kundër krimit, se aty është dhe prokuroria, është edhe krimi ekonomik, janë dhe tatimet, janë dhe doganat... Ne të mos harrojmë intervistën e Dumanit ose qoftë edhe deklarimet e tij në Komisionin e Sigurisë edhe në Parlament që tatimet, doganat dhe institucionet e tjera shtetërore, që këtu i referohej Policisë së Shtetit, i referohej bashkive, policive bashkiake, Drejtorisë së Pastrimit të Parave, kanë zero referime për çështjen e pastrimit të parave. Ne flasim për grupe të strukturuara kriminale. Po më fal, ku është fuqia e grupeve të strukturuara kriminale? Fuqia e grupeve të strukturuara kriminale është te paraja”, tha Bushkolaj.
“Dhe këtu është e qartë që nuk ka një vullnet për ta luftuar, por këtu ka një vullnet për të bashkëpunuar. Dhe ku shihet ky vullneti për të bashkëpunuar? Ky vullneti për të bashkëpunuar shikohet te ekonomia. Nëse deri dje në Tiranë, në Durrës, në Vlorë, në Fier, ne kishim disa lokale që mund të identifikoheshin me një person me rekorde kriminale. Sot jemi në kushtet kur identifikohen me komplekse pallatesh edhe me kulla në Tiranë grupe të caktuara kriminale dhe këtu qartazi ka diçka që nuk shkon. Këtu qartazi në raport me vlerën e euros dhe me rënien drastike të euros ka diçka që nuk shkon dhe kjo nuk i shqetëson këto institucionet e tjera ligjzbatuese. Dhe pastaj produkti final është kjo që shohim sot, është përgjakja e rrugëve”, shtoi Bushkolaj. (A2 Televizion)