Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, ishte të hënën në Gjykatën e Posaçme si dëshmitar në gjyqin ndaj 8 të pandehurve të dosjes “Partizani”.
Para gjykatës ish-bashkëpunëtori i dikurshëm politik i Sali Berishës, tregoi se kishte firmosur planin e përhapjes së pronave të ushtrisë, veprim që i hapte rrugë privatizimit të tyre, një muaj pasi kishte shkelur në presidencë.
“Procesi i planit të përhapjes ishte një proces teknik. Përgatitja bëhej nga Shtabi i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes. Gjithë procesi asistohej nga ekspertë të NATO. Ishte proces që tek Presidenti vinte vetëm për tu mbyllur juridikisht”, deklaroi ai.
Në përgjigje të të pandehurit Jamarbër Malltezi, Topi tase nuk kishte pasur asnjë presion prej tij apo Berishës për këtë proces.
“Kurrë, kurrë, kurrë. Nuk ka dalë asnjëherë kjo histori. Asnjëherë”, tha dëshmitari. I vetmi shqetësim që i ishte shfaqur për “Partizanin” kishte qenë nga ish-kreu i Komandës Mbështetëse, të cilin e kishte pritur në një takim, por sqarimet ia kishin dhënë këshilltarët e tij.
Ndërsa i pandehuri Malltezi pretendoi se ushtarakët e kanë gënjyer ish-presidentin. Seanca e radhës e dosjes “Partizani” u caktua për më 14shtator, seancë ku pritet të thirren disa dëshmitarë mes të cilëve, ish-ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe Paro Laçi. (A2 Televizion)