Vrasja e 50-vjeçarit mbrëmjen e djeshme në Bërxullë të Vorës, për ekspertin e sigurisë Fation Softa ishte një atentat i mirëorganizuar, i kryer nga person me njohuri të avancuara për përdorimin e armëve.
Në Dita Jonë në A2 CNN ai tha se fakti që në vendngjarje nuk u gjetën gëzhoja tregon se autori ka synuar të mos lërë gjurmë. Ai nuk përjashtoi mundësinë që vrasja të jetë kryer nga distanca me armë me dylbi, por theksoi se mbetet e hapur edhe pista e përdorimit të një arme me cilindër, e cila nuk nxjerr gëzhoja.
"Goditja ka qenë me një plumb të vetëm mbas shpine, gjë që tregon për një gjakftohtësi, për një parapërgatitje dhe për një mbikëqyrje apo një apo një ndjekje të viktimës dhe mund të jetë snajper, pushkë me dylbi që mund të ketë kërkuar të jetë distanca për të shmangur kamerat, për të shmangur dëshmitarët, për të shmangur gjurmët balistike. Ai ka qenë duke parë ndeshjen. Momenti që ka përfunduar ndeshja, ka dalë për të vajtur në banesë. Në këtë moment kur po i afrohesh banesës atëherë në këtë moment ka goditje që nuk e dimë nëse sa e largët është distanca. Është herët për të thënë që është me snajper, apo është me pistoletë në distancë të afërt. Armë të tilla të tipit me mulli ose me cilindër nuk lejnë gëzhoja në vendin e ngjarjes. do të thotë që s'ka dashur që të lërë shenja. Kjo tregon që janë persona apo person që ka njohuri për armët”, deklaroi Softa në A2 CNN.
Eksperti theksoi se për të zbuluar motivin duhet analizuar historiku i viktimës. Sipas tij, burimet publike e përshkruajnë 50-vjeçarin si një person me ndikim në zonë, i angazhuar në shitblerje pronash, çka ngre dyshime për konflikte të mundshme të lidhura me këtë aktivitet.
"Duhet të shkojmë dhe të shikojmë historikun e personit kur duam të shkojmë për të ndërtuar motivin. Personi në zonë nga mediat, nga burimet e hapura si një person i fortë. Merrej me shit- blerje pronash. Tregon që një mundësi e një konflikti të mundshëm mund të bëhet me pronat. Pra kur themi shitblerje do të thotë që mundet të kemi forma të dyshuara të mashtrimit, apo të prekjes së interesave të cilët mund të kenë përfunduar me këtë atentat”, tha Softa.
Një tjetër pistë, sipas ekspertit, lidhet me periudhën kur viktima kishte jetuar në Itali. Hetuesit pritet të verifikojnë nëse ai ka pasur konflikte apo probleme edhe gjatë qëndrimit atje, megjithëse kjo konsiderohet një pistë dytësore krahas aktivitetit të tij në Shqipëri.
“Një dyshim i mundshëm është që personi ka jetuar në Itali dhe pista e dytë është për të hetuar kohën e qëndrimit, vendin e qëndrimit të Italisë për të marrë të dhëna dhe informacione për atë kohë për të cilën mund të ketë konflikte apo burime të tjera të cilët kanë dashur të bëjnë eliminimin e tij, por kjo mbetet një pjesë dytësore. Pjesa më kryesore mbetet për aktivitetin që bënte brenda territorit shqiptar”, theksoi eksperti në Dita Jonë në A2 CNN.
(A2 Televizion)