Krimet në familje, pastori Akil Pano: Dhunuesit e shohin gruan si objekt

Nga A2 CNN
13 Korrik 2026, 09:50 | Sociale

Pastori Akil Pano u shpreh se krimet brenda familjes “nuk janë thjesht çështje policimi në komunitet, por lidhen me moralin e kulturën e asaj familjeje”.

“Kur ti e shikon tjetrin si objekt dhe si pronë tënden, atëherë ti kërkon ta kontrollosh atë. Kur një burrë fillon të besojë se gruaja është pronë e tij, në një marrëdhënie që ndërtohet jo mbi dashurinë, por mbi pushtetin, atëherë pushteti do të ketë frikë se do të humbasë kontrollin mbi objektin që synon të kontrollojë. Xhelozia patologjike nuk është shenjë dashurie, por frika e pronarit që mendon se po humb pronën e tij”, tha pastori në një lidhje direkte me studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN.

“Kur objekti nuk bindet, në mendjen e dhunuesit lind ideja se ai ka të drejtë ta ndëshkojë. Shoqëria moderne lëkundet mes dy ekstremeve: nga njëra anë glorifikon forcën mashkullore, ose në anën tjetër e paraqet burrërinë si diçka për t’u turpëruar”, shtoi pastori. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos