
Shqiptarja Kedi Osmani ka ndarë historinë e saj prekëse në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, duke rrëfyer betejën shumëvjeçare me një sëmundje të rrallë, diagnozat e gabuara dhe vështirësitë për të gjetur trajtimin e duhur.
Osmani tregoi se për vite me radhë vuante nga çrregullime të ciklit menstrual dhe simptoma të tjera shqetësuese, ndërsa mjekët i kishin dhënë pak shpresa se mund të bëhej nënë.
“Kam pasur prej shumë vitesh probleme me ciklin menstrual. E ndjeja se diçka nuk shkonte. Mjekët më thoshin se do ta kisha shumë të vështirë të bëhesha nënë. Kisha vonesa të ciklit dhe ënjtje të këmbëve,” u shpreh ajo.
“Më është propozuar tre herë heqja e mitrës, por e ndjeja se nuk ishte zgjidhja. Më thoshin: ‘A do të jetosh gjithë jetën e sëmurë?’”, rrëfeu 35-vjeçarja.
Ajo tha se në momentin kur mendoi se kishte gjetur trajtimin e duhur në Shqipëri, gjendja e saj u përkeqësua edhe më tej.
“Kur mendova se gjeta trajtimin, gjithçka u përmbys, sepse përfundova me paralizë të stomakut. Ishte një luftë më vete,” tha Osmani.
Për shkak të kompleksitetit të rastit, dokumentacioni i saj mjekësor u dërgua në 24 spitale në vende të ndryshme të botës, por, sipas saj, shumica refuzuan ta merrnin përsipër trajtimin.
“Në Shqipëri konsiderohesha një rast i komplikuar. Rasti im u dërgua në 24 spitale në mbarë botën dhe përgjigjja që merrja ishte se nuk mund ta merrnin përsipër,” përfundoi ajo. (A2 Televizion)