A2CNN ka mësuar detaje të reja nga hetimet për atentatin e 11 nëntorit në Rinas, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe punonjësi i AMP-së, Mustafa Sheqeri.
Një mjet tjetër është zbuluar nga hetuesit që ëshrë përdorur nga autorët, bëhet fjalë për një ambulancë. Hetuesit dyshojnë se ambulanca e rreme është përdorur si mjet për t’u larguar pa rënë në sy.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije për A2CNN se nga këqyrja e pamjeve filmike janë siguruar të dhëna me interes, të cilat hedhin dritë mbi skenarin e arratisjes së atentatorëve. Sipas këtyre burimeve, autorët pasi kryen atentatin në Rinas dhe dogjën në fshatin Halil mjetin tip “Toyota” me targa greke, të përdorur gjatë ekzekutimit, po aty ku dogjën makinën dyshohet se i priste edhe mjeti tjetër i kamufluar si ambulancë për t'u larguar në drejtim të paditur.
Kjo e dhënë përforcon dyshimet për një plan të mirëorganizuar deri në detaje.
Hetuesit kanë dyshime që mjeti i kamufluar si ambulancë ka qenë edhe në zonën pranë rrethit të Rinasit kur ka ndodhur atentati dhe më pas është larguar në drejtim të fshatit Halil pasi kanë pritur kryerjen e vrasjes.
Automjeti tip “Toyota” i ekzekutorëve u gjet i djegur pak minuta pas ngjarjes në një zonë të pyllëzuar dhe kodrinore të fshatit Halil. Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe personave të përfshirë në këtë atentat të rëndë kriminal. Grupi hetimor ka përqendruar hetimet te analizimi i qindra kamerave të sigurisë, të cilat po konsiderohen kyçe për identifikimin e autorëve dhe lëvizjeve të tyre para dhe pas krimit. (A2 Televizion)