Festa e fundvitit, Policia plan masash, shton efektivët në terren

Nga Igli Çelmeta
30 Dhjetor 2025, 08:33 | Kronikë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka ndërmarrë një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festimeve të ndërrimit të viteve. Masat janë hartuar në zbatim të planit kombëtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe do të zbatohen në të gjithë territorin e kryeqytetit.

Policia ka shtuar ndjeshëm prezencën e shërbimeve me uniformë dhe të Policisë Kriminale, veçanërisht në zonat me fluks të lartë qytetarësh, sheshe publike, pedonale, objekte kulti, qendra tregtare dhe ambiente argëtimi si bare, restorante dhe lokale nate, shkruan A2 CNN.

Gjithashtu janë vendosur pika fikse kontrolli në hyrje-daljet e Tiranës dhe janë intensifikuar patrullimet e lëvizshme për parandalimin e veprimtarive të paligjshme. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar qarkullimit rrugor, përmes kontrolleve të shtuara dhe përdorimit të mjeteve inteligjente, me qëllim parandalimin e aksidenteve.

Policia po kryen edhe kontrolle të vazhdueshme ndaj subjekteve dhe individëve që shesin apo posedojnë lëndë piroteknike, për të shmangur rreziqet dhe ngjarjet aksidentale gjatë festimeve.

Autoritetet bëjnë me dije se efektivët do të jenë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo rast nevoje dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të denoncojnë.

Masat e Policisë konsistojnë në:

-shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe atyre të Policisë Kriminale, në të gjitha zonat urbane, me fokus të veçantë në zonat me fluks qytetarësh, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike;

-vendosjen e pikave fikse të kontrollit në hyrje dhe dalje të qytetit, si dhe shtimin e patrullimeve të lëvizshme, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe rritjen e sigurisë;

-intensifikimin e masave për monitorimin e qarkullimit rrugor, nëpërmjet kontrolleve të shtuara, përdorimit të mjeteve inteligjente dhe patrullimeve në akset kryesore urbane dhe interurbane, me synim parandalimin e aksidenteve rrugore;

-kryerjen e kontrolleve të vazhdueshme ndaj subjekteve dhe individëve që posedojnë/shesin lëndë piroteknike (fishekzjarre dhe/ose kapsolla), për parandalimin e rreziqeve dhe ngjarjeve aksidentale;

-rritjen e prezencës së shërbimeve të Policisë, në sheshe publike, shëtitore, pedonale, objekte kulti, në ambiente argëtimi (bare, restorante, lokale nate) dhe në qendra tregtare, me objektiv garantimin e mbarëvajtjes së festimeve;

-bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit në kohë reale, për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Policia apelon qytetarët të denoncojnë çdo paligjshmëri pranë patrullave ose në numrat pa pagesë 129 dhe 112, duke garantuar gatishmëri të plotë për ndërhyrje të menjëhershme gjatë gjithë ditëve të festimeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos