Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi këtë të shtunë të rrëzojë ankimin e bërë nga ish-zv.kryeministri në arrati, Arben Ahmetaj, kundër sekuestrimit të një llogarie bankare të tij.
Sekuestrimi i llogarisë u kundërshtua nga Ahmetaj, me pretendimin se ishte një llogari rrjedhëse, përmes së cilës paguante detyrime financiare për fëmijët pas zgjidhjes së martesës. Në Apel Ahmetaj është refuzuar edhe për pasuritë e tjera të sekuestruara.
Ish-zv. kryeministri, Arben Ahmetaj po hetohet në mungesë nga SPAK për akuzën e “korrupsionit”, “deklarimit të rremë të pasurisë” dhe “pastrim të parave”. Hetimi ndaj tij nisi si bashkim i një fraksionit të hetimit të inceneratorit të Elbasanit, si edhe një kallëzimi në SPAK për “pastrim parash” e “fshehje pasurie”.
Aktualisht Ahmetaj është i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi u largua nga vendi para caktimit të një mase sigurisë “arrest në burg” ndaj tij. Nga ana tjetër, SPAK ka ngritur dyshime për “shpërdorim detyre” nga Ahmetaj si ish-ministër i Financave gjatë privatizimit të ish-ndërmarrjes shtetërore “Fabrika e bukës” në Tiranë. (A2 Televizion)