Gjykata e Posaçme e Apelit vlerësoi të shtunën që të lërë të pandryshuar një vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë në lidhje me sekuestrimin e një pasurie të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtare në zbatim të një mase sigurie "arrest në burg" të caktuar nga Gjykata e Posaçme, pasi dyshohet për kryerjen e 3 veprave penale.
Ahmetaj u përfaqësua sot nga avokati i tij Ardian Visha dhe kërkoi rrëzimin e masës së sekuestros marrë nga Shkalla e Parë. Bëhet fjalë për një llogari bankarë në një bankë të nivelit të dytë, e cila i është sekuestruar zotit Ahmetaj me kërkesë të SPAK, si pjesë e disa pasurive të cilat i janë sekuestruar për llogari të hetimit penal të nisur ndaj tij.
Ahmetaj ka bërë ankimime të veçanta për secilën nga pasuritë që i janë sekuestruar, ndërsa sot u shqyrtua ankimimi i vetëm një llogarie bankare, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë. (A2 Televizion)