
Një 34-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet kosovare për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, është kapur dhe arrestuar në Cërrik nga Policia e Elbasanit, me qëllim ekstradimin drejt Kosovës.
Në kuadër të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave të kërkuar, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Cërrik, finalizoi me sukses operacionin për ndalimin e shtetasit A. S., 34 vjeç, banues në Cërrik.
Sipas Policisë, 34-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Themelore e Pejës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve”, shkruan A2 CNN.
Pas arrestimit, Interpol Tirana, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet kosovare, ka nisur dhe po ndjek procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Kosovës.
Policia bën me dije se puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar vijon pa ndërprerje, në bashkëpunim me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë. (A2 Televizion)