Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimin ndaj Aleksandër Lahos, të njohur si “Rrumi i Shijakut”, vëllait të tij, Vullnet Muça dhe gjashtë të tjerëve, të akuzuar për tjetërsim masiv të pronave në bregdetin e Durrësit.
Sipas SPAK, ky grup i ka zhvatur shtetit gati 690 mijë metër katrorë tokë në zonën Shijak-Kepi i Rodonit, në një vlerë që i kalon 16 milionë euro. Hetimi i Prokurorisë së Posaçme, ka identifikuar si ideues dhe financues të mekanizmit kriminal vëllezërit Aleksandër Laho dhe Vullnet Muça. Ata dyshohet se kanë identifikuar familje bujqësore me kryefamiljarë të moshuar, me nivel të ulët arsimor e në gjendje të vështirë ekonomike, për të përdorur emrat e tyre në tjetërsimin e pronave shtetërore ose të papretenduara. Të pandehurit dyshohet se, në bashkëpunim edhe me zyrtarë apo ish-zyrtarë të Kadastrës së Durrësit të kenë falsifikuar masivisht dokumente pronësie të trojeve shtet në bregdet e më pas t’i integrojnë ato në arkivin e regjistrimit të pasurive.
Roli i Aleksandër Lahos dhe Vullnet Muçës, thotë SPAK, del qartë në të gjitha bisedat që këta shtetas kanë zhvilluar midis tyre në platformën Sky ECC. I pandehuri Agron Bejdolli, dyshohet se kishte si rol sigurimin e prokurave të posaçme, mbajtën e kontakteve me noterët dhe kryerjen e aplikimeve në sportelet e ZVRrPP Durrës.
Të pandehurit Mikel Zaho e Artur Isaku, si juristë të Kadastrës Durrës, akuzohen për regjistrimin në sistem të kartelave të falsifikuara. Ish-specialistja e arkivit të ZVRrPP Durrës, dyshohet se ka bashkëpunuar me Bejdollin për të verifikuar, nxjerrë e futur në arkivë referenca të pronave që ju janë falsifikuar dokumentet. Ndërsa i pandehuri Urim Agasi, duke paraqitur fakte të rreme, ka përfituar lekët e shitjes së 72 mijë me katrorë pronë shtet, të regjistruar me dokumente false. I pandehuri Vlash Braja dyshohet të jetë përfshirë në 4 episode të tjetërsimit të trojeve. Mbi të pandehurit rëndojë akuzat e “mashtrimit”, “falsifikimit të dokumenteve” dhe “grupit të strukturuar kriminal”.
SPAK njoftoi se në një hetim të ndarë, vijon puna për identifikimin e fakteve të reja penale dhe zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë. (A2 Televizion)