“Kallashnikovi çau jelekun antiplumb”,Hita zbardh detaje nga operacioni ku u vra Enea Mekolli

Nga A2 CNN
4 Qershor 2026, 17:04 | Kronikë

“Kallashnikovi çau jelekun antiplumb”,Hita zbardh detaje nga

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se është urdhëruar nisja e një hetimi të brendshëm për të verifikuar procedurat e ndjekura gjatë operacionit për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Braçellari, i cili vrau efektivin Enea Mekolli dhe plagosi një tjetër punonjës policie në Maliq.

Në një konferencë për mediat, Hita bëri me dije se nuk kishte qenë në dijeni të operacionit, duke sqaruar se aksioni ishte organizuar dhe zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë. Ai konfirmoi gjithashtu se gjatë operacionit nuk ishte kërkuar mbështetja e forcave speciale RENEA.

Sipas kreut të Policisë së Shtetit, rreth 40 forca policore morën pjesë në operacion, ndërsa gjashtë efektivët që ndërhynë drejtpërdrejt ishin të pajisur me jelekë antiplumb. Megjithatë, arma kallashnikov e përdorur nga autori ka depërtuar mbrojtjen balistike, duke shkaktuar vdekjen e efektivit Enea Mekolli.

"Një punonjës policie i dalluar dhe shembullor ndërroi jetë, dhe mbeti i plagosur një tjetër nga punonjësit e policisë. Jam këtu për të ndarë dhimbjen me familjarët e Enea Mekollit, i cili humbi jetën gjatë operacionit. Në orën 7:30 të mëngjesit, forcat policore kanë mbërritur ku strehohej ky person. Ky person ishte i dënuar me 9 vite nga Gjykata e Korçës, ndërsa në vitin 2011 i ishte caktuar masa arrest me burg për kultivimin e lëndëve narkotike.

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, punonjësit e policisë kanë shkëmbyer zjarr, ku mbeti i plagosur edhe i kërkuari. Për të ishin caktuar edhe operacione të tjera, por nuk ishte bërë e mundur arrestimi i tij. Kam urdhëruar drejtorinë e Përgjithshme për të nisur një hetim për punën që është bërë për të kapur këtë person. Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor. I shpreh ngushëllimet për familjen e Enea Mekollit dhe shërim të shpejtë për kolegun tjetër, Edison Adri.

Ata që sulmojnë punonjësit e policisë, do të ndëshkohen maksimalisht. Gjaku i Eneas nuk do të harrohet kurrë. Kur është kryer operacioni nuk kam pasur dijeni, ky operacion është kryer nga Policia e Korçës. Punonjësit e policisë janë të gjithë të trajnuar, edhe në këtë rast kanë qenë shërbimet më të specializuara siç janë “Shqiponja”. Në gjykimin e drejtuesve të Drejtorisë Korçë, këto kanë qenë strukturat. Kanë qenë 40 forca policie. Të gjithë kanë qenë me jelek antiplumb, por arma kallashnikov që ka përdorur autori e ka çarë edhe antiplumbin. Patjetër që duhet të bëhet më e mira në këtë drejtim," tha Hita./ (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos