
Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në afërsi të fshatit Kamenicë në aksin Korçë-Ersekë. A2 CNN raporton se një automjet ka përplasur për vdekje një fëmijë.
A2 CNN mëson se një mjet tip fuoristradë ka goditur një fëmijë 3 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në spitalin rajonal të Korçës.
Sipas policisë, fëmija ka qenë duke lëvizur në aksin nacional kur është goditur nga mjeti, i cili po lëvizte nga Korça në drejtim të Qafës së Qarrit.
Në momentin e aksidentit, mësohet se fëmija ka qenë i shoqëruar nga nëna e tij.

Drejtuesi i mjetit ka tentuar të shmangë përplasjen me 3-vjeçarin dhe ka përfunduar në anën tjetër të rrugës.
Policia po heton për shkaqet e këtij aksidenti ndërsa drejtuesi i mjetit ndodhet në komisariatin e Korçës ku po merret në pyetje për të sqaruar më shumë dinamikën e këtij aksidenti.
Korçë/Informacion paraprak
Rreth orës 16:30, në aksin rrugor Korçë–Ersekë, në fshatin Kamenicë, automjeti tip "Nisan", me drejtues shtetasin Sh. V., 76 vjeç, ka përplasur dy këmbësorë (nënë e bir), shtetasen Sh. M., rreth 44 vjeçe, dhe djalin e saj të mitur, rreth 3 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, në spital ka ndërruar jetë fëmija i mitur, ndërsa shtetasja Sh. M, po merr ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor shoqëruan në Komisariat drejtuesin e automjetit, shtetasin Sh. V., për kryerjen e veprimeve procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. (A2 Televizion)