Mashtronte qytetarët, kapet dhe me armë, në pranga 34-vjeçari në Tiranë

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2025, 10:34 | Kronikë

Mashtronte qytetarët, kapet dhe me armë, në pranga

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Implikimi”, duke arrestuar një 34-vjeçar që akuzohet për mashtrim, thyerje të masës së sigurisë dhe mbajtje të armës sportive pa leje. Në pranga u vu shtetasi Armand Gugaj, 34 vjeç, banues në Tiranë.

Operacioni u nis pas kallëzimit të një shtetaseje, e cila deklaroi se ishte mashtruar nga i dyshuari, pasi ai i ishte prezantuar si agjent imobiliar dhe i kishte marrë para me premtimin për t’i gjetur një apartament me qira. Pas punës intensive hetimore, shërbimet e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, lokalizuan dhe ndaluan 34-vjeçarin.

Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin ai lëvizte në rrugën “Kastriotët”, policia gjeti një pistoletë sportive të mbajtur pa leje. Ndërsa gjatë kontrollit në banesë, u sekuestrua një palë targa automjeti, të cilat rezultuan të ishin të vjedhura.

Verifikimet zbuluan gjithashtu se Gugaj ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Dhuna në familje”, duke e thyer kështu detyrimin e vendosur nga Gjykata. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos