
Një ngjarje e rëndë është regjistruar disa ditë më parë në Shkallnur të Durrësit, ku një 52-vjeçar ka ndërruar jetë pas një konflikti me një 18-vjeçar.
Sipas burimeve nga Policia e Durrësit, konflikti ka nisur pasi 52-vjeçari kishte ofenduar me fjalë një fëmijë të mitur, shkruan A2 CNN.
Ky i fundit i ka treguar ngjarjen të vëllait, i cili më pas është përballur me 52-vjeçarin dhe e ka goditur disa herë me grushte. I plagosur rëndë, 52-vjeçari është dërguar menjëherë në spital, ku pas disa ditësh ka ndërruar jetë. Policia e Durrësit ka arrestuar 18-vjeçarin, ndërsa po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 09.11.2025, në lidhje me procedimin penal të 18-vjeçarit, shtetasit L. Ç., pasi dyshohej se për motive të dobëta, kishte goditur me grusht, shtetasin S. F., 52 vjeç, njoftojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit kryen ndalimin me iniciativë të shtetasit L. Ç., për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen. Nga hetimet e deritanishme rezulton se si pasojë e goditjes me grusht, 52-vjeçari ka rënë me kokë, në tokë, në një rrugë në fshatin Arapaj, dhe pavarësisht ndihmës mjekësore, ka humbur jetën më datë 10.11.2025, rreth orës 22:00, në Spitalin e Traumës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)