Shpërthimi në Lungomare, kamerat identifikojnë autorin e vendosjes së tritolit

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2024, 08:20 | Kronikë

Kamerat e sigurisë kanë ndihmuar policinë e Vlorës në arrestimin e autorit të vendosjes së eksplozivit në një lokal të qytetit bregdetar 4 ditë më parë.

Pas hetimeve dhe këqyrjes së kamerave, policia bëri të mundur arrestimin e shtetasit Beqir Selamaj alias Beqir Murati, për akuzën e shkatërrimit me eksploziv të lokalit në lagjen “Uji i Ftohtë”.

Paraprakisht mendohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje, pasi pronari i lokalit Bledar Birçe është ekzekutuar në maj të vitit 2021 me breshëri automatiku në lagjen “Hajro Cakërri”.

Lokali ishte dhënë me qira dhe vetëm pak ditë më parë ishte marrë në përdorim nga familjarët e të ndjerit Birçe

Gjatë operacionit, përmes veprimeve të koordinuara dhe mbështetura në prova shkencore, u sekuestruan në cilësinë e provave materiale dy telefona celular, një biçikletë dhe veshjet e përdorura gjatë ngjarjes.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos