
Nëntë turistë të huaj janë shpëtuar nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare në dy raste të ndryshme të regjistruara në Himarë dhe Ksamil.
Rasti i parë u shënua në zonën e Filikurit, në Himarë, ku një shtetase spanjolle njoftoi se i fejuari i saj, shtetasi spanjoll A. G., kishte mbetur në vështirësi në det pasi kajaku me të cilin po lundronte ishte fundosur.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare nisën kërkimet dhe bënë të mundur lokalizimin e tij, nxjerrjen nga uji dhe transportimin e sigurt pranë Pikës së Kontrollit Kufitar Himarë, shkruan A2CNN.
Një tjetër ndërhyrje u krye në Ksamil, ku 8 turistë brazilianë, pjesëtarë të së njëjtës familje, u shpëtuan pasi skafi plastik me të cilin lundronin rrezikonte të fundosej në zonën pranë “Tre Ishujve”.
Efektivët e Policisë Kufitare ndërhynë me gomone dhe mjete jet ski, duke i nxjerrë turistët në siguri dhe duke rimorkuar mjetin lundrues drejt bregut në zonën e plazhit “Puerto Rico”. (A2 Televizion)