Një 44-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar nga efektivët e Forcës Operacionale.
Në pranga ka rënë Ilir Zotaj, i cili rezulton i dënuar me më shumë se 5 vite burg nga drejtësia italiane.
“Në kuadër të operacionit “Operacionalja 28”, u lokalizua në Tiranë dhe u arrestua provizorisht shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar Ilir Zotaj alias Zio Bushi, 44 vjeç, banues në Tiranë. Gjykata e Apelit e Peruxhias, Itali, e ka dënuar këtë shtetas me 5 vjet, 6 muaj e 17 ditë burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë”, njofton policia.
44-vjeçari dyshohet se ka qenë pjesë e një organizate kriminale që përbëhej nga shtetas shqiptarë, e cila ka organizuar dhe financuar trafikimin e lëndëve narkotike, kryesisht nga Belgjika në Itali.
Gjatë periudhës dhjetor 2008 – mars 2010, janë sekuestruar rreth 10.4 kg lëndë narkotike kokainë e trafikuar nga kjo organizatë, në disa qytete të Italisë, në Belgjikë dhe në Shqipëri.
Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën, për të finalizuar procedurën e ekstradimit e tij në Itali. (A2 Televizion)