Një 33-vjeçar i identifikuar si banor i fshatit Kagjinas të bashkisë së Kolonjës, është gjetur i mbytur në rezervuarin e këtij fshati. Burime për A2 CNN, thanë se 33-vjeçari, një ditë më parë, është larguar nga banesa e tij, ndërkohë që familjarët kanë kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e tij.
Gjetja e trupit është bërë e mundur vetëm, ditën e sotme, në ujërat e këtij rezervuari nga një prej familjarëve të tij dhe ka lajmëruar uniformat blu, të cilët kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Ka qenë shërbimi zjarrfikës ai që ka bërë të mundur nxjerrjen e trupit nga rezervuari, ndërkohë që 33-vjeçari është dërguar në morgun e Korçës për ekspertizë për të mësuar shkakun e vdekjes në qoftë se ka qenë vetëmbytje apo ka pësuar arrest kardiak.
Sipas policisë 33-vjeçari Emiljano Bahollari kishte probleme të shëndetit mendor.
Kolonjë/Informacion paraprak
Mëngjesin e sotëm, në rezervuarin e fshatit Kagjinas, Kolonjë, është gjetur i mbytur, pa shenja dhune, shtetasi E. B., 33 vjeç, banues në fshatin Borovë, Kolonjë.
Nga të dhënat e para dhe deklarimet e marra familjarëve të tij, rezulton se ky shtetas vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe ishte larguar nga banesa e tij, mbrëmjen e djeshme.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. (A2 Televizion)