Valter Bami në shtëpi, si u ka shpëtuar tritolit e plumbave Gentian Bejtja

Nga Julian Kasapi
18 Janar 2024, 14:25 | Kronikë

Për disa herë, Valter Bami vëllai i Durim Bamit kishte mohuar lidhjen e tij me atentatin e bërë ndaj Gentian Bejtjas në korrik të një viti më parë. Për ngjarjen e rëndë ku mbeti i vrarë kunati i Bejtjas dhe u plagosën dy djemtë e tij gjykata e Tiranës i shuajti arrestin me burg duke e lënë në arrest shtëpie për shkak të mbarimit të afateve hetimore.

Policia e Tiranës tha në atë kohë se në duart e Bamit kishte shenja baruti çka ngrinte dyshimet se ai kishte qëlluar mbrëmjen e 4 korrikut, por provat për ta akuzuar për vrasje nuk mbërritën kurrë.

Në qeli vetëm për dyshimet e armëmbajtjes pa leje e cila nuk mbante më pasi nuk u gjet asnjë armë, tashmë Bami ndodhet në shtëpi.

Shënjestër e atentatit ishte Gentian Bejtja, një emër i njohur për policinë, i cili i ka shpëtuar plot tri herë atentateve të organizuara ndaj tij. Pak pas mesnatës së 4 korrikut Bejtja mendohej se lëvizte me kunatin e tij Ramazan Sino, i cili punonte si drejtues mjeti në prokurorinë e apelit në Tiranë, por edhe me dy djemtë e tij, përkatësisht të moshave 10 dhe 13 vjeç.

Pasi kishin konsumuar darkë mendohet se Sino po i shoqëronte në shtëpi në Larushk të Krujës. 42-vjeçari sipas të gjitha të dhënave ka qenë në automjetin e kunatit të tij 29-vjeçar në kohën që ndiqej nga atentatorët. Ende nuk dihet se si ai ka arritur të dalë nga makina pak para se të mbërrinin në afërsi të banesës aty ku dhe u qëllua në drejtim të tyre.

Ramazan Sino person me asnjë precedent penal mbeti i vrarë në portën e jashtme të banesës ndërsa plumba morën dhe dy fëmijët e mitur të Bejtjas. Fatmirësisht ata i shpëtuan plagëve.

Ish-polici i burgut të Fushë Krujës u bë publik më 26 shkurt të vitit 2013, një ditë pas vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, i cili ra pre e një atentati në pranë shtëpisë së tij në Tiranë.

Bejtja bashkë me Enver Stafukën i rrëmbyer dhe zhdukur që nga mbrëmja e 8 shkurtit të vitit 2015 dyshohej se ishin personat që kishin vjedhur makinën që u përdor në vrasjen e kryekomisar Lamajt. Bejtja dhe Stafuka u vunë në pranga në atë kohë nga policia, por u liruan në vitin 2015.

Një vit më pas në 2016, 42-vjeçari i shpëtoi dhe një shpërthimi të telekomanduar në automjetin e tij. Në janar të vitit 2022 ai u qëllua me breshëri plumbash në zonën e Niklës ndërsa mbeti i plagosur.

Ai udhëtonte me makinën e tij kur iu bë atentat nga një tjetër makinë në lëvizje. Makina tip “Alfa Romeo” përfundoi në një karburant ndërsa Bejtja së bashku me një shokun e tij përfunduan në spitalin e Traumës.

Emri i tij rezulton dhe në shoqërimet që policia ka bërë për vrasjen e Julian Calit në autostradën Tiranë-Durrës në vitin 2022 por edhe një atentati ndaj Marklen Hakës në Fushë Krujë po përgjatë vitit 2022. Së fundmi 42-vjeçari kishte kërkuar azil në Norvegji por diçka e tillë i është mohuar.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos