Vrasja e Behar Sofisë në mes të kryeqytetit, prokuroria kërkon 7 vite burg për autorin

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2023, 15:13 | Kronikë

Vrasja e Behar Sofisë në mes të kryeqytetit, prokuroria

Është dhënë pasditen e së martës, pretenca e SPAK për të akuzuarit për vrasjen e biznesmenit Behar Sofia.

Mësohet se, Ernejt Shytin, personin që qëlloi mbi Sofinë, për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë, Prokuroria e Posaçme kërkoi 7 vite burg.

Kujtojmë se më herët gjatë këtij viti, Shyti ka dhënë detaje para Gjykatës së Posaçme se si ishte porositur për vrasjen dhe kryerjen e krimit.

I pandehuri Shyti ka rrëfyer se përveç Sofias, kishte marrë porosi edhe për dy vrasje të tjera, për të cilat nuk ishin vënë në dispozicion as fotografi dhe as emër.

Siç ka treguar ai vetë, pasi vuri në shënjestër 66-vjeçarin Sofia, kishte studiuar për një muaj lëvizjet e tij deri ditën e ngjarjes, për realizimin e së cilës i ishin premtuar 50 milionë lekë të vjetër.

“Disa ditë para ngjarjes, e kam ndjekur Behar Sofinë nga Piramida deri tek ish-ekspozita. E identifikova, por nuk e kreva dot vrasjen. Atentatin ndaj Behar Sofisë e bëra për 50 milionë lekë, paratë nuk i mora asnjëherë, pavarësisht se Xhuljano Visha më kishte thënë se do t'i merrja 3 ditë pas ngjarjes. Bujar Lezën e kam takuar për biçikletën, me Xhuljano Vishën, më pas më ka pyetur edhe nëse do i ndërroja rrobat kur të kryeja ekzekutimin. Mësova se Bujari i kishte thënë Xhulios se edhe armën e kishte gjetur. Vrasjen më tha Visha do e bënte për hasmëri, por se për çfarë dhe nga kush ishte porositur nuk e di”, mësohet të ketë thënë Shyti.

“Ditën e krimit, nuk mu shkrep arma, e mbusha dhe pastaj qëllova dy herë. Skënder Vathi do më merrte te Liqeni Artificial, por nuk erdhi. Kam ikur drejt Malit të Zi me vëllain dhe Xhuljano Vishën, nuk kemi ndaluar askund, as për të ngrënë. Për komunikim me anëtarët e grupit, kisha një telefon të markës “iPhone” që ma dha Xhuljano Visha të cilit ia ktheva dhe një “Nokia” që ma dha Leonard Xhixha. Ky i fundit, kur kam kryer vrasjen, ka qenë duke vëzhguar shënjestrën, kur kaloi te trotuari, më ka thënë se jam këtu afër dhe se po shkonte te lokali”.

Behar Sofia u ekzekutua mëngjesin 25 shkurtit të 2021, afër Piramidës në Tiranë, ndërsa vrasësi u largua me biçikletë. Autori, pasi e ndoqi disa metra pranë shtëpisë së tij, i doli përpara 66-vjeçarit dhe e qëlloi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos