
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi për parandalimin e zjarreve, duke rikujtuar se zjarrvënia përbën vepër penale dhe dënohet me masa të ashpra.
Përmes një deklarate, Lamallari theksoi se zjarret e shkaktuara nga dora e njeriut përbëjnë rrezik për jetën e qytetarëve, pronën, pyjet dhe pasuritë natyrore.
“Kujdes! Zjarrvënia nuk është pakujdesi, por krim që ndëshkohet me burgim. Çdo zjarr i shkaktuar nga dora e njeriut është një kërcënim për jetën, pronën, pyjet dhe të mirën e përbashkët”, u shpreh ministri.
Ministri rikujtoi se me ndryshimet më të fundit në Kodin Penal janë ashpërsuar ndjeshëm dënimet për zjarrvënien, në varësi të rrethanave dhe pasojave të veprës penale, teksa ka theksuar se toleranca do të jetë zero.
Zjarrvënia e qëllimshme dënohet me burgim nga 5 deri në 8 vjet kur kryhet gjatë stinës së nxehtë, në kushte që favorizojnë përhapjen e zjarrit ose pranë zonave të banuara; nga 4 deri në 10 vjet kur prek zona të mbrojtura, objekte të trashëgimisë kulturore, objekte kulti, monumente kulture ose infrastrukturë kritike; ndërsa dënimi arrin nga 7 deri në 15 vjet burg kur zjarrvënia kryhet me qëllim ndryshimin e kategorisë ose destinacionit të tokës. (A2 Televizion)