
Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për një fraksion të dosjes “Revanshi”, duke shpallur fajtorë pesë anëtarë të një grupi kriminal të akuzuar për disa vepra penale, përfshirë kultivim dhe trafikim narkotikësh, armëmbajtje pa leje, si dhe sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjeve.
Sipas vendimit, ish-efektivi i forcave speciale RENEA, Adrian Pikli, dhe Devis Bajramaj janë dënuar me nga 10 vite burg secili. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar i tyre është reduktuar në 6.8 vite burg.
Elvis Ndreca, djali i xhaxhait të ish-deputetit socialist Eduard Ndreca, dhe Edison Muçeku janë dënuar me nga 8 vite burg secili, ndërsa pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul në 5.4 vite burg.
Armando Ndreca është dënuar me 11 vite burg, i cili pas gjykimit të shkurtuar do të vuajë 7.4 vite burg.
Sipas akuzës së SPAK, nga veprimet hetimore është provuar përfshirja e anëtarëve të grupit në disa ngjarje të rënda kriminale gjatë viteve 2020–2021, shkruan A2CNN.
Më 4 nëntor 2020, në Urën e Tapizës në Fushë-Krujë, Albert Zaja dhe persona të tjerë dyshohet se tentuan të vrisnin me armë zjarri shtetasit Durim Bami dhe Ervin Kodra.
Gjatë periudhës maj–korrik 2020, Albert Zaja dhe Edison Muçeku dyshohet se siguruan mjetet e nevojshme për vrasjen e shtetasit Hamza Terziu, ndërsa në muajt korrik–gusht 2020, Elvis Ndreca dyshohet se siguroi mjetet për vrasjen e Durim Bamit.
Në tetor 2020, sipas SPAK, Armando Ndreca organizoi dhe financoi një grup që prodhoi dhe shiti rreth 243 kilogramë kanabis në zonën e Lezhës.
Ndërkohë, gjatë viteve 2020–2021, Devis Bajramaj dhe Adrian Pikli akuzohen se janë përfshirë në veprimtari të paligjshme të shitjes së armëve dhe municioneve, përfshirë persona me precedentë penalë.
(A2 Televizion)