Jehon opera shqiptare, Andis Gjoni rikthehet në skenën teatrale me Rozafën

Nga Luela Myftari
20 Korrik 2026, 15:05 | Kulturë

Andis Gjoni udhëton nga Nju Jorku në Tiranë për të sjellë një shfaqje tërësisht ndryshe nga klasikët operistikë: një vepër shqiptare të bazuar në legjendën e trashëguar brez pas brezi, "Rozafa".

“Projekti i Rozafës është një projekt shumë i bukur dhe meqenëse lidhet edhe me origjinën time, me tokën time është edhe akoma dyfish më i bukur. Legjenda e Rozafës në këtë produksion vjen si një magji e skenës. Vjen me një libret fantastik të Zev Zorbës dhe muzikë shumë të bukur të Ndoc Pistullitt. Kjo më frymëzoi që ta vija në skenë dhe ta sjellja për publikun këtu në Tiranë”, tregon për A2 CNN Andis Gjoni, producent dhe regjisor i shfaqjes.

Si është rrëfyer Rozafa edhe në familjen tuaj artistike? “Historitë dhe legjendat e Shkodrës, po dhe historitë e teatrit këtu ku jemi sot. Jam shumë i emocionuar që kthehem aty ku prindërit e mi kanë punuar kaq vite në skenë dhe unë vij me një produksion të një legjende për herë të parë, domethënë produksion premierë botërore e Rozafës. Është një kënaqësi e veçantë që edhe një nder për mua që jam këtu në teatrin e operës së baletit dhe ndjek gjurmët e prindërve të mi”, shton ai.

Me muzikë nga Ndoc Pistulli, libret të Zef Zorbës dhe orkestracion nga Gridi Kraja, nën drejtimin muzikor të këtij të fundit, si edhe me regji e skenografi nga Andis Gjoni, produksioni vjen i interpretuar nga solistët, Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOBAP-së.

Shfaqja do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor vetëm në mbrëmjen e 22 korrikut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos