Kantautori Gjergj Leka bëri një rrëfim emocional për “Dita Jonë” në A2CNN.
“Kur fillova të kisha sukseset e para shumë i vogël, mendoja që prindërit e mi nuk më kuptonin. Shumë vonë e kam kuptuar që unë nuk dija asgjë. Dhe ky është një problem që sot është shumë më i theksuar. Të rinjtë mendojnë “prindërit nuk dinë asgjë, të gjitha i dimë ne”. Unë sot e kësaj dite do jepja vite jetë që të kisha mundësinë ta kisha dhe një herë gjallë nënën time. Jo thjesht të çmallesha, por që t'i thosha sa kam gabuar unë që s'kam dëgjuar kur duhej”, tha Leka në një intervistë ekskluzive për “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN.
“Imagjino, nga një edukatë shumë klasike, operistike, që s'ishte vetëm nëna ime dhe tezja, por edhe babai im. Edhe pse ishte fizikant, e njihte muzikën lirike më mirë se edhe nëna ime. Unë i dola njëri që bënte muzikë të lehtë. Brenda tyre, prindërit e mi nuk e pranonin, por gjithmonë mendonin t'i japim këtë që do, se ky muzikën klasike do ta mësojë patjetër, se do ta mësojë nga shkolla. Dhe bënë shumë mirë, por ama edhe unë i kuptova shumë vonë. Unë eksperimentoja, por kurrë me muzikën klasike. Atë e quaja në xhep unë. Vonë fillova ta shfrytëzoj atë që më kishte thënë familja ime. Ndaj, asnjëherë prindi nuk duhet të imponojë vullnetin e tij te fëmija. Mos flasim për brezin e sotshëm që nuk ta pranon, kurrë në botë, por me shumë durim”, shtoi kantautori. (A2 Televizion)