Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me pranimin në UNESCO të ‘K’cimit të Tropojës’.
Përmes një postimi në Facebook, ku ka ndarë edhe një video të kësaj valleje, Berisha shkruan se kjo traditë ka mbetur një simbol i identitetit dhe bashkimit për banorët e Tropojës dhe gjithë Malësisë së Gjakovës.
Duke shprehur vlerësimin për mjeshtërin e valles Skënder Haklaj, Berisha shkruan gjithashtu se hyrja e K’cimit të Tropojës në UNESCO merr një rëndësi të veçantë në një moment që sipas tij, qeveria shqiptare i ka shpallur luftë kulturës.
Reagimi i Berishës:
“K’cimi i Tropojës” pranohet në UNESCO!
Miq, vallja e Tropojës do të jetë pjesë e listës përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.
Përgjatë viteve, kjo traditë ka mbetur një simbol i identitetit dhe bashkimit për banorët e Tropojës, Malësisë së Gjakovës.
Me këtë rast shpreh mirënjohje të pakufijshme për mjeshtrin virtuoz të valles dhe dancit në tërësi dhe në veçanti, ‘K’cimit të Tropojës’, Skënder Haklaj dhe ekipit të tij të mrekullueshëm për suksesin e tyre historik, si dhe UNESCO-s për vlerësimin e merituar të valles magjepsëse të Malësisë së Gjakovës.
Ky vlerësim suprem për ‘K’cimin e Tropojës’ merr një rëndësi edhe më të madhe në një kohë kur narkoqeveria e Tiranës, mbi bazën e korrupsionit të shfrenuar dhe ‘Ëoke Culture’ është hedhur në luftë të hapur kundër kulturës tradicionale dhe trashëgimisë së pasur kulturore të Shqipërisë. #sb (A2 Televizion)