"Arrest në burg ose në shtëpi", analisti: "Paqartësia" e SPAK e qëllimshme, Berisha mund të përfitojë nga kleçkat juridike

Nga A2 CNN
14 Dhjetor 2023, 21:19 | Politikë

"Arrest në burg ose në shtëpi", analisti:

SPAK ka kërkuar aprovim nga Parlamenti për t’i ashpërsuar masën e sigurisë Sali Berishës nga “detyrim paraqitjeje” në “arrest në shtëpi” ose “arrest në burg”.

Dhe, kjo “paqartësi” nga ana e SPAK, për analistin Ben Andoni është e qëllimshme. I ftuar në “Debat nga Alba Alishani” mbrëmjen e së enjtes, Andoni thotë se duke i njohur shumë mirë “kleçkat juridike”, kreu i Rithemelimit do të mund të arrijë të “shpëtojë” edhe nga kjo pengesë e radhës.

“SPAK, me gjithë barrën e madhe që ka mbi vete, bën një politikë brenda politikës. Kur shprehet titullari dhe shpjegon objektiva, kemi politikë... të njëjtin fat e pret edhe zotin Rama më pas.”

Për Andonin, Shqipëria është eksperiment sa i përket reformës në drejtësi dhe nuk mund të presim që të kemi një Drejtësi në lartësinë e duhur kur tre pushtetet e tjera vijojnë të mos i arrijnë këto lartësi të synuara.

Ndërkohë, kujtojmë se Kryesia e PD-së së Rithemelimit vendosi sot që të afrojë aksionin e mosbindjes civile të njoftuar për në janar.

Këtë mbrëmje u morr vendimi për dy protesta që do të mbahen javën e ardhshme. Të hënën kur në mesditë do të mblidhet Këshilli i Mandateve për kërkesën e SPAK për arrestimin e Sali Berishës dhe të enjten që vjen, kur është seanca e fundit e parlamentit për këtë vit, e kur pritet që edhe mund të votohet heqja e imunitetit të Berishës.

Por këto do të jenë protesta të Berishës dhe Rithemelimit dhe nuk do t’u bashkohet Gazmend Bardhi me deputetët e tij.

Pyetjet që ngrënë analistët në studio janë sesi ky grupim do të arrijë të nxjerrë qytetarët në shesh kur prej muajsh tashmë është premtuar një “revolucion” që s’po vjen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos