“Balla, më i poshtër se Bajrat”, Berisha: Rama thotë se sarajet ia polli “Kurbani”

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2023, 10:52 | Politikë



Sali Berisha ka vijuar me akuzat ndaj mazhorancës edhe jashtë seancës së Kuvendit, e cila u shoqërua me tensione të shtuara, për shkak të asaj që ish-kryeministri e cilësoi si një “grevë të përkohshme”, deri në rikthimin e të drejtave.

Kreu i PD-së tha përpara gazetarëve se Rama nuk lejon kalimin e ligjit për konfliktin e interesit, pasi është i përfshirë në të, duke i përmendur shtëpinë në Surrel dhe thjeshtrën e tij, që sipas Berishës po përfiton miliona nga tenderët.

Berisha nuk la përmendur dhe ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, për të cilin tha se është kriminel dhe i lidhur me bandat.

“Patë sot reagimin me forma civile të mosbindjes civile dhe një grevë të përkohshme në parlament nga deputetët e opozitës, me kërkesën për rikthimin e të drejtave të tyre kushtetuese. Ne jemi opozita e të drejtave të mohuara në 32 vite. Edi Rama i ka mohuar opozitës kërkesën kushtetuese të firmosur me 35 firma për ngritjen e 8 komisioneve hetimore. Kjo kërkesë nuk është në vullnetin e mazhorancës, kjo kërkesë diktohet nga Kushtetuta si detyrim sapo të mblidhen 35 firma. Kjo kërkesë nuk mund të mohohet kurrë. Rama e bllokon këtë kërkesë pasi në epiqendër të hetimit është ai.

Nuk mund të pranojë Edi Rama zbatimin e ligjit për konfliktin e interesit, pasi thjeshtra vazhdon prej 7 vitesh të marrë tendera nga sektori publik dhe të pasurohet. Ligji për konfliktin e interesit përcakton rreth të ngushtë dhe fëmijët e gruas apo bashkëjetueses. Edi Rama nuk mund të lejojë të hetohet konflikti i interesit pasi ka sarajet e Surrelit. Parku i shtëpisë së tij ka deklaruar se është blerë me çmime simbolike. Imagjinoni ju një libër si Kurbani që pjellë sarajet. Nuk ka asnjë faturë tatimore që e vërtetojnë këtë. Kemi të bëjmë me shfrytëzim të pushtetit për ndërtimin e një parajse në Surrel. I them zonjës Linda Rama të tregojë kush ia ndërtoi 5-katëshin.

Kjo ishte një grevë e përkohshme. Ata nuk e respektojnë. Ne nuk kemi punë me deputetët socialistë. Taulant Balla është një kriminel më i poshtër se Bajrat. Ne nuk heqim dorë. Ky është fillimi”, u shpreh Berisha.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli