Deputeti demokrat, Ervin Salianji, ka vijuar që të bllokojë Foltoren e Kuvendit. Teksa fjala i është dhënë ministrit, Taulant Balla, ai ka zgjedhur që të ndezë një flakadan.
Kjo ka shkaktuar të qeshura në sallë. Pas kësaj, seanca ka vijuar normalisht duke votuar projektligjet e parashikuara në agjendën e ditës.
Berisha: Patë një grevë të përkohshme në parlament nga deputetët e opozitës
Sali Berisha ka vijuar me akuzat ndaj mazhorancës edhe jashtë seancës së Kuvendit, e cila u shoqërua me tensione të shtuara, për shkak të asaj që ish-kryeministri e cilësoi si një “grevë të përkohshme”, deri në rikthimin e të drejtave.
Kreu i PD-së tha përpara gazetarëve se Rama nuk lejon kalimin e ligjit për konfliktin e interesit, pasi është i përfshirë në të, duke i përmendur shtëpinë në Surrel dhe thjeshtrën e tij, që sipas Berishës po përfiton miliona nga tenderët.
Berisha nuk la përmendur dhe ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, për të cilin tha se është kriminel dhe i lidhur me bandat.
“Patë sot reagimin me forma civile të mosbindjes civile dhe një grevë të përkohshme në parlament nga deputetët e opozitës, me kërkesën për rikthimin e të drejtave të tyre kushtetuese. Ne jemi opozita e të drejtave të mohuara në 32 vite. Edi Rama i ka mohuar opozitës kërkesën kushtetuese të firmosur me 35 firma për ngritjen e 8 komisioneve hetimore. Kjo kërkesë nuk është në vullnetin e mazhorancës, kjo kërkesë diktohet nga Kushtetuta si detyrim sapo të mblidhen 35 firma. Kjo kërkesë nuk mund të mohohet kurrë. Rama e bllokon këtë kërkesë pasi në epiqendër të hetimit është ai.
Nuk mund të pranojë Edi Rama zbatimin e ligjit për konfliktin e interesit, pasi thjeshtra vazhdon prej 7 vitesh të marrë tendera nga sektori publik dhe të pasurohet. Ligji për konfliktin e interesit përcakton rreth të ngushtë dhe fëmijët e gruas apo bashkëjetueses. Edi Rama nuk mund të lejojë të hetohet konflikti i interesit pasi ka sarajet e Surrelit. Parku i shtëpisë së tij ka deklaruar se është blerë me çmime simbolike. Imagjinoni ju një libër si Kurbani që pjellë sarajet. Nuk ka asnjë faturë tatimore që e vërtetojnë këtë. Kemi të bëjmë me shfrytëzim të pushtetit për ndërtimin e një parajse në Surrel. I them zonjës Linda Rama të tregojë kush ia ndërtoi 5-katëshin.
Kjo ishte një grevë e përkohshme. Ata nuk e respektojnë. Ne nuk kemi punë me deputetët socialistë. Taulant Balla është një kriminel më i poshtër se Bajrat. Ne nuk heqim dorë. Ky është fillimi”, u shpreh Berisha.
Opozita bllokon Foltoren, Braçe: Berisha po komunikon me drejtësinë, jo se do Komisione Hetimore
Bllokimi i zhvillimi të seancës plenare, për Erion Braçen nuk është bërë për shkak se socialistët nuk kanë miratuar kërkesat e opozitës për ngritjen e Komisioneve Parlamentare.
Në një dalje për mediat nga jashtë Kuvendit, Braçe tha se kjo për bëhet për të mbrojtur Sali Berishës. Sipas tij, me këtë akt, Berisha po komunikon me drejtësisë dhe jo me qeverinë. “Është gjëja më normale të komunikosh me ne, po jo të përdorësh sallën e Kuvendit që të dialogosh me gjykatën. Një grusht deputetësh për të bërë politikë që kthehen në milici fashiste përkundrejt deputetit. Kjo është gjuhë komunikimi me prokurorët dhe gjyqtarët, nuk ka lidhje me Komisionet Parlametare, cilido politikanë që ka një akuzë nuk duhet të përdorë parlamentin dhe as partinë, por të përdorë avokatin e tij”, tha Braçe. (A2 Televizion)