Konferenca e Kryetarëve e parashikuar për t’u zhvilluar në orën 10:00 ku do prezantohej projekt buxheti i vitit 2024 nga ministri i Financave, Ervin Mete, nuk u zhvillua. Deputetët demokratë, të shumtë në numër arritën që të ndalonin zhvillimin e mbledhjes në orarin e paracaktuar.
Pas tre orësh pushim dhe ecejakesh nëpër korridoret e Kuvendit, nuk u kursye as zyra e kryeparlamentares Nikolla.
Në përpjekje për të gjetur një ambient të përshtatshëm për zhvilluar mbledhjen, maxhoranca arriti që të hynte në sallën e Byrosë së Kuvendit dhe vetëm me praninë e dy deputetëve të opozitës zhvilloi dëgjesën me Meten, por sërish demokratët edhe më të paktë në numër i shprehën shqetësimet e tyre.
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve zgjati vetëm pak minuta, ku dy grupimet u përplasën sërish në korridore.
Jashtë Kuvendit, Gazment Bardhi denoncoi para medias se Kuvendi është mbushur me gardistë. Ndërsa kreu i Rithemelimit, Sali Berisha deklaroi se lufta me maxhorancën do të vijojë.
“Mazhoranca ta harrojë që të kryejë veprimtarinë normale. Kanë sjellë sot 100 forca të Gardës së Republikës”.
GAZMENT BARDHI – KREU I GRUPIT PARLAMENTAR, PD
“Demokratët janë shumë të vendosur kësaj here. Mund t’i them Edi Ramës se ky është vetëm fillimi. Ta dijë Edi Rama”.
SALI BERISHA – PARTIA DEMOKRATIKE (RITHEMELIMI)
Padisë së socialistëve ndaj Nallbatit, demokratët iu përgjigjën me të njëjtën gjuhë dhe akuzë identike ndaj Vullnet Sinës.
“Kemi dorëzuar një padi për deputetin socialist për veprën penale goditje për shkak të detyrës”.
GAZMENT BARDHI – KREU I GRUPIT PARLAMENTAR, PD
Në orët e para të pasdites, demokratët arritën që të bllokonim edhe zhvillimin e mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë dhe detyruan socialistët që të braktisnin ambientet e Kuvendit.
“O Shalso, shkoni tek Luli mos paguani qira për zyra se ka dhe byrek ai”.
FLAMUR NOKA –DEPUTET I PD
Grumbullimin e socialistëve në një kafene pranë Kuvendit, Sali Berisha e cilësoi si mbledhje klandestine.
“Shkojnë në klube dhe mejhane për të miratuar buxhetin. Nuk ka gjë më qesharake se kjo, gjëja më jo serioze në botë që mund të ndodhë.”
SALI BERISHA – PARTIA DEMOKRATIKE (RITHEMELIMI) (A2 Televizion)