Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi sot një takim online me efektivët e Forcave të Armatosura që shërbejnë në misionet dhe operacionet paqeruajtëse në botë krah NATO-s, OKB-së dhe Bashkimit Evropian.
Presidenti ndau me ushtarakët urimet më të mira për vitin e ri dhe i përgëzoi për kryerjen me përgjegjësi e devotshmëri të të gjitha angazhimeve të ndërmarra në ruajtje të sigurisë dhe paqes në botë.
"Falë punës suaj vendi ynë konsiderohet si partner mjaft i rëndësishëm i organizatës së NATO-s dhe kërkesa për shtim të kontributit të Shqipërisë në Aleancë është shenjë e vlerësimit për profesionalizmin e Forcave të Armatosura”, tha Begaj.
Presidenti u shprehu ushtarakëve mbështetjen e tij maksimale, duke i cilësuar kontributin më të madh të shqiptarëve në botë. (A2 Televizion)