Sali Berisha do të vijojë të jetë “non grata” nga Mbretëria e Bashkuar. Ish-kryeministrit iu ndalua hyrja në Britani në vitin 2022, për lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin, akuza që ai i mohon.
Berisha apeloi çështjen në Komisionin Special të Emigracionit në Londër në muajin mars, duke thënë se ky vendim ishte marrë bazuar mbi deklarime të pavërteta dhe të paprovuara.
Reuters raporton se këtë të hënë, Komisioni hodhi poshtë apelimin e Berishës.
"Dr. Berisha nuk ka gëzuar asnjëherë ndonjë të drejtë për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar, qoftë bazuar në ligjet e brendshme ashtu edhe në të drejtën ndërkombëtare. Kështu ka qenë edhe kur ai shërbente si kreu i Shtetit dhe kreu i Qeverisë dhe, aq më tepër, pas largimit nga këto funksione.
Sa i përket të drejtës ndërkombëtare, vendimi për ta pranuar apo jo atë në Mbretërinë e Bashkuar, është ushtrim i së drejtës sovrane të MB për të kontrolluar hyrjet në territorin e vet. Në këndvështrimin tonë, vendimi për të përjashtuar Dr. Berishën ishte gjithashtu, në terma të së drejtës ndërkombëtare, ushtrim ekuivalent i të drejtës sovrane të MB për të kontrolluar hyrjet në territorin e vet", thuhet në vendimin e Komisionit.
Vendimi i Britanisë së Madhe u mor një vit pasi Berisha u shpall “non grata” edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si i përfshirë në korrupsion dhe abuzim me pushtetin.
Ish-kryeministri është në arrest shtëpie prej dhjetorit të kaluar, i akuzuar se ka përdorur ndikimin e tij në vitet 2005-2009 për të favorizuar dhëndrin e tij, akuza që Berisha i mohon.
Së fundmi, një vendim gjykate e njohu atë edhe zyrtarisht si kryetarin e Partisë Demokratike. (A2 Televizion)