Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shfaqur në konferencën për mediat sërish një foto ku sipas tij faktohet konflikti i interesit që kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
“Të dashur qytetarë, një javë më parë unë publikova një status me dy foto në të cilën informova publikun se Altin Dumani banonte në shtëpinë e dajës së gruas së tij, Anastas Meçaj. Po nuk është vetëm kjo, dhe nuk janë vetëm misteret e asaj shtëpie të habitshme, se kjo shtëpi është përveç atyre tre shtëpive të tjera. Po, po! Kjo, thotë, është shtëpia e vjehrrit. Ky Anastasi është daja i bashkëshortes. Djali i dajës së bashkëshortes, Klajdi Meçaj, që unë i postova fotografinë, që është personi këtu me Edi Ramën, është drejtor në Bashkinë e Tiranës, ose ka qenë gjer së fundmi drejtor në Bashkinë e Tiranës, engjëlli mbrojtës i Erion Veliajt pranë Altin Dumanit”, tha Berisha për mediat.
“Çfarë është ky Klajdi? Klajdi është kushëriri i parë i bashkëshortes së Altin Dumanit. Mediat e qeverisë kërkonin me çdo kusht ta zhvlerësonin këtë fakt se kjo nuk është gjë, kjo nuk është e vërtetë. Tani BKH-ja digjitale çon fotografinë tjetër shkatërrimtare, përfundimtare. Ky është Dumani me bashkëshorten në ditëlindjen e vet, ku Klajdi poston këtë fotografi. Pra, vartësi i Erion Veliajt i uron burrit të kushërirës, Altinit, gëzuar 50-vjetorin e ditëlindjes së tij”.
“Në qoftë se më parë kemi akuzuar Krajën si një njeri që bllokonte hetimet për 3 vite me radhë për arsye se kishte nipin dhe mbesën punonjës në Bashkinë e Tiranës, të paktën ai, për faqe të zezë, tre javët e fundit u detyrua të japë dorëheqjen. Kurse Altin Dumani nuk i zbuloi kurrë lidhjet e tij dhe konfliktin flagrant të interesit që ka me Erion Veliajn nëpërmjet të dashurit kushëri, Klajdi Meçaj, kushëri i parë i gruas, drejtor në bashki. Ja ku është!”. (A2 Televizion)