
Socialistët dhe demokratët janë përplasur sërish këtë të enjte në Konferencën e Kryetarëve të grupeve parlamentare, për shkak të mosthirrjes së mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku do të vendoset mbi heqjen, ose jo, të imunitetit të Belinda Ballukut, sipas kërkesës së SPAK, shkruan A2.
“Kjo që po ndodh është një njollë e zezë për Kuvendin. Mbrojtja politike e një të korruptuari është çështje që ju bën me turp edhe juve. Të mblidhet menjëherë Këshilli i Imuniteteve dhe t’i hapim rrugën drejtësisë për t’i hequr imunitetin”, mësohet të ketë thënë deputetja e PD, Jorida Tabaku.
"Këshilli ka vepruar dhe do të veprojë në çdo rast, duke pasur vijë të kuqe Kushtetutën, ligjin dhe Rregulloren. Në respekt të Kushtetutës, mbledhja e Këshillit është thirrur menjëherë. Në respekt të Rregullores, është respektuar qëndrimi i të gjitha palëve/anëtarëve në Këshill. Deputetët e mazhorancës kanë kërkuar që, në procesin e shqyrtimit të kërkesës, të merret edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Unë, si kryetar i Këshillit, jam i detyruar të mos injoroj asnjë qëndrim dhe kërkesë, për sa kohë që nuk shkel Kushtetutën, ligjin dhe Rregulloren. Ju kujtoj se jemi brenda afatit 3-mujor që përcakton Rregullorja për marrjen e vendimit për pranimin ose rrëzimin e kërkesës", mësohet të jetë përgjigjur kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi. (A2 Televizion)