Në përvjetorin e 5 të televizionit A2 CNN, Kryeministri Edi Rama ka pranuar të jetë shënjestra e të gjitha pyetjeve që shqetësojnë opinionin publik shqiptar në emisionin Debat nga Alba Alishani.
Që nga reforma në drejtësi e deri tek ekzistenca e opozitës, bashkë me të drejtën e komisioneve parlamentare, por edhe marrëdhëniet me Kosovën, kanë qenë temat, të cilat u diskutuan në studio.
Refuzimi i komisioneve hetimore, Rama mohon të ketë një shqetësim nga ndërkombëtarët
Kryeministri Edi Rama mohon të ketë një shqetësim nga ndërkombëtarët për refuzimin e ngritjes së komisioneve hetimore në kuvend që kërkon opozita. Kreu i qeverisë u shpreh në Debat me Alba Alishanin se edhe në progres raport është prekur çështja e komisioneve hetimore, por nuk thuhet nëse duhen ngritur apo jo. “Nuk më ka ardhur asnjë shqetësim nga ndërkombëtarët. Pr/raporti e konstaton si fakt, por nuk thotë që duhen ngritur apo jo. Komisionet janë një instrument i opozitës, por në respekt të Kushtetutës dhe ligjit. Nuk po i mohojmë të drejtën kushtetuese askujt. Ky është një refuzim me abuzimin me të drejtën”, tha Rama.
Aksioni opozitar për komisionet hetimore, Rama: Nuk do të ngrihen pa u plotësuar kriteret sipas Kushtetutës
Kryeministri Edi Rama komentoi aksionin opozitar, që synon të “paralizojë” jetën parlamentare dhe rrjedhimisht votimin e Buxhetit 2024 në seancën e nesërme parlamentare.
“Kjo nuk është klima për ligjin më të rëndësishëm por asnjë ligj dhe për asnjë zakon sepse kur njerëzit mblidhen së bashku në një çati për cilindo arsye supozohet minimumi sillen ftohtë me njëri-tjetrin por jo të përdorin mjete të ftohta dhe armë të nxehta kundër njëri-tjetrit.” Lidhur me kërkesën kryesore të opozitës që është pranimi ni kërkesave të tyre për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, Rama tha se është një listë kriteresh që duhet plotësuar për lejimin e ngritjes së tyre.
“Kjo nuk është çështje impresionesh të para por kornize kushtetuese dhe ligjore sepse sigurisht Kushtetua i jep të drejtën një grupi deputetësh, të cilët kanë një numër të kufizuar brenda parlamentit, pra edhe opozitës që të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Por ngritja e tij nuk është një veprim automatik por një vendim që merret mbi bazën e kritereve kushtetuese dhe ligjore. Sa kohë nuk plotësohen këto kritere këto komisione nuk do të ngrihen”.
Rama u vendos përballë faktit se 38 firma deputetësh do të mjaftonin për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar dhe mazhoranca ka refuzuar për ta pranuar një hap të tillë nga opozita në 8 raste. Ai theksoi se nuk ka asnjë stepje nga ana e shumicës, por nuk është respektuar kriteri themelor që përkon me kushtetueshmërinë e kërkesës.
“S’ka asnjë stepje është thjesht ajo që ju thashë. Nuk mjafton të mbledhësh firmat dhe të kërkosh ngritjen e komisionit hetimor parlamentar pa plotësuar kriteret që janë të përcaktuara. Nuk është vetëm një kriter janë disa. Mjafton fakti se Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë vendim për të shpallur si antikushtetues një komision hetimor parlamentar të ngritur për të kuptuar që ato mund të jenë dhe antikushtetuese. Duhen ngritur sipas dhe në respekt të Kushtetutës. Për këtë arsye komisionet hetimore parlamentare edhe votohen.”
Kërkesat e opozitës për komisionet hetimore, Rama: Humbje kohe, janë jashtë parimeve kushtetuese
“Të gjitha jashtë parimeve kushtetuese”. Kështu i ka cilësuar kryeministri Edi Rama të 8 kërkesat e opozitës parlamentare për të ngritur komisione hetimore, çështje kjo që prej javësh ka shkaktuar një ngërç në Kuvend, ku janë shënuar dhe incidente me flakadanë.
Kreu i qeverisë u shpreh në A2 CNN se opozita e ka një zgjidhje nëse mazhoranca ka gabuar me mohimin e ngritjes së këtyre komisioneve dhe ajo është Gjykata Kushtetuese. Ai shtoi se të gjitha kërkesat e opozitës janë shqyrtuar një më një dhe të gjitha kanë pasur shkelje. “Komisionet janë të gjitha jashtë parimeve kushtetuese. Është humbje kohe. Ne i kemi të argumentuara të gjitha një për një sipas Kushtetueses, arsyet përse janë të pamundura si Komisione. Ka prapë rrugë. Ka Gjykatës Kushtetuese”, tha Rama.
“Komisionet hetimore, histori unikale në botë”, Rama: Ja pse do të ndryshojë ligji
“Ligjin do ta ndryshojmë sepse historia e komisioneve tona parlamentare është një histori shumë e shëmtuar, unikale në botë. Kjo është një histori që përveç të tjerave është zhvilluar si e tillë në mënyrë vulgare dhe në mënyrë të shëmtuar sepse kur është bërë ligji i komisioneve hetimore parlamentare është marrë modeli gjerman ose çfarë ju ka rënë në sy ose çfarë kanë menduar.
Kështu u shpreh në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN kryeministri Edi Rama teksa u pyet nëse precedenti i “Inceneratorëve po e step mazhorancën për ngritjen e komisioneve parlamentare.
Ai u shpreh më tej se në draftin e ri referencë është modeli gjerman dhe pikërisht ato pjesë që janë lënë jashtë. “Në draftin e ri kemi referencë modelin gjerman dhe keni pikërisht ato pjesë të lëna jashtë modelit gjerman, të cilat qartësisht e plotësojnë kornizën e veprimtarisë së komisioneve hetimore parlamentare, se nuk është vetëm ngritja, por edhe veprimtaria, produkti që ato nxjerrin”. Më herët, ai mohoi të ketë një shqetësim nga ndërkombëtarët për refuzimin e ngritjes së komisioneve hetimore në kuvend që kërkon opozita. Kreu i qeverisë u shpreh n se edhe në progres raport është prekur çështja e komisioneve hetimore, por nuk thuhet nëse duhen ngritur apo jo.
“Nuk më ka ardhur asnjë shqetësim nga ndërkombëtarët. Pr/raporti e konstaton si fakt, por nuk thotë që duhen ngritur apo jo. Komisionet janë një instrument i opozitës, por në respekt të Kushtetutës dhe ligjit. Nuk po i mohojmë të drejtën kushtetuese askujt. Ky është një refuzim me abuzimin me të drejtën”, tha Rama.
"Duan të vrasin lepurin dhe zgjojnë një lukuni luanësh", Rama: Opozita ka agjendë destruktive
Kryeministri Edi Rama u pyet në emisionin “Debat” në A2CNN nga analisti Lutfi Dervishi se cila është zgjidhja që ai ofron për të rikthyer në normalitet jetën parlamentare në vend, pas kaosit të krijuar nga aksioni opozitar. Shefi i qeverisë rrëzoi kategorikisht mundësinë e kundërpërgjigjes me dhunë dhe nënvizoi se nuk mund të ketë një zgjidhje në kushtet, kur “një lukuni luanësh" sipas tij synojnë "të rrëzojnë regjimin”.
Ai deklaroi se opozita po aplikon një agjendë destruktive për të shkaktuar konflikt dhe kaos.
“Nuk kam. Nuk mund të zgjidhesh dot një situatë që në mënyrë të qëllimshme bëhet nyje sepse janë agjenda totalisht të ndryshme. Jo se janë qëndrime për borxhin, apo qasje për punësimin, apo opinione për rrogat. Njëra është një agjendë normale pune parlamentare dhe qeverisëse. Tjetra është agjendë destruktive për të krijuar sa më shumë kaos dhe konflikt, me shpresën se do të zgjojë lepurin në zemrat e luanëve, ose luanin në zemrat e lepujve. Një shprehje që thuhet se është qëllimi final i gjithë kësaj. Do vritet lepuri dhe do zgjohet luani në zemrat e gjithë shqiptarëve dhe pastaj një lukuni e madhe luanësh do të rrëzojë regjimin. Në këtë rast nuk ke çfarë zgjidh fare. Në rast se këtu këta djem që janë mbrapa kamerave papritur na sulen ne. Çfarë bëjmë ne të tre? Ne i mbajmë këta që të mos ju hanë juve. Në çdo rast kundërveprimi ndaj tyre me dhunë do të ishte katastrofë”, tha Rama.
Mos ngritja e Komisioneve, Rama refuzon dialogun me opozitën: Të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese
Mazhoranca refuzon që të ulet në dialog me opozitën për kërkesat e saj, mes tyre ngritja e Komisioneve Hetimore, që ka çuar në kaos në Kuvend.
Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje opozitës që të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese, për sa kohë që mendojnë se po i shkelen të drejtat e saj. I ftuar në A2 CNN, në emisionin Debat nga Alba Alishani, Rama tha se mazhoranca do të vijojë sjelljen e saj, të duruar dhe qëndrimit brenda një kornizeje parlamentare, por vetëm kaq.
“Nuk jemi në regjim, se pot ë ishim në regjim, s’do kishim opozitë, ngaqë nuk jemi në regjim, ne qëndrojmë në vendet tona, votojmë, sepse nuk mund të mos votojmë buxhetin sepse përballë kemi karrige të vëna njëra mbi tjetrën, ato kërkesa nuk qëndrojnë dhe nëse ka një vend për të kërkuar që ato pretendime të qëndrojnë ai vend është Gjykata Kushtetuese”, tha Rama.
Ai shtoi se nuk ofron asnjë zgjidhje përtej këtij qëndrimi. “Nuk kemi asnjë zgjidhje që kapërcejnë mundësitë tona, mundësitë tona janë te Kushtetuesja dhe mirësjelljes”, përfundoi kreu i qeverisë në A2 CNN.
“Beleri” dhe vetoja greke për integrimin, Rama: Ne nuk do të humbasim asnjë minutë
Kryeministri Rama komentoi në Debat në A2 CNN dhe çështjen e kërcënimeve greke se do të vendosë veto ndaj Shqipërisë në rrugën e integrimit për çështjen e Fredi Belerit, i vënë nën akuzë nga SPAK për krime elektorale. Rama tha se Shqipëria nuk do të humbasë asnjë minutë drejt integrimit sepse mazhoranca ka zgjedhur të punojë dhe këtë gjë e tregoi dhe progres raporti i fundit.
“Greqia nuk ka të drejtë për çështjen Beleri. Ne nuk do të humbasim asnjë minutë de facto, siç nuk kemi humbur dhe kur na refuzuan hapjen e negociatave. Ne kemi vijuar me punën dhe nëse kemi një progres raport ndër më të mirët, kemi një progres në të gjitha ato çështje, kjo vjen vetëm sepse ne vijojmë punën. Në këtë proces të negociatave, vër njëri veton për arsye të brendshme është një çështje që ndodh shpesh në BE. Ne nuk do të humbasim asnjë minutë. Ajo që ka ndodhur është se ne kemi pasur një proces screening që ka krijuar shumë respekt te të gjithë. E kemi realizuar me shpejtësi dhe saktësi pasi nuk e kemi humbur kohën”, tha Rama.
“Harrojeni se Beleri betohet”, Rama: Edhe sikur të kthehet përmbys Këshilli Europian nuk negociojmë kundër interesit të Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama ka hedhur kategorikisht poshtë shanset e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri për të kryer betimin në detyrë.
Në emisionin “Debat” në A2CNN, Rama tha se për këtë çështje nuk do të negociohet as me Këshillin Europian, ku Greqia ka ngritur zërin për çështjen Beleri, edhe nëse Athina zyrtare vijon të bëjë presion me bllokimin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Si bëhet betimi është pyetja? Deri më sot ju keni një vendim të Gjykatës së Lartë të para pak vitesh, e cila ka ngarkuar Gjykatën Speciale të trajtojë këtë çështje. Sepse kërkesa për të bërë betimin u bë te ne. Ne s’kemi asnjë mundësi të vendosim bëhet apo s’bëhet betim. Ne e kemi bërë shumë të qartë. Që sikur të kthehet përmbys gjithë Këshilli Europian ne nuk negociojmë asnjë gjë kundër interesit më të madh strategjik të Shqipërisë, sot, që është zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe moscenimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë. Ca kohë kërkonin këtë, mor nuk e bëjmë dot harrojeni se futemi ne në këtë. Jo bllokim të integrimit. Se nuk është bllokim i integrimit fare se ajo është një proces politik.” Shefi i qeverisë e bëri të qartë në qëndrimin e tij se në Shqipëri pushtetet janë të ndara dhe fati i Belerit do të vendoset nga drejtësia.
Referuar kërkesës së posaçme për t’u liruar për të kryer betimin, të cilën Beleri ia ka drejtuar Drejtorisë së Burgjeve, Rama tha se Gjykata e Lartë e ka hedhur poshtë, duke nënvizuar në vendim se këto kompetenca nuk i takojnë Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
“Mbasi ata për një kohë të caktuar kanë kërkuar nga ne. E kërkonin kështu Shqipëria. Shqipëria ka pushtet legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Mbasi e kmi përsëritur që nuk mund të bëjë Drejtori i Burgjeve diçka të tillë. Se nuk e ka në ligj. Ligji e thotë shumë qartë kur bëhet betimi. Mbasi humbën kohë, dhe shkuan në Gjykatë të Durrësit, Gjykata e Lartë ia çoi Gjykatës Speciale dhe në vendim thuhet drejtori i burgjeve nuk ka asnjë fuqi që të zgjidhi këtë çështje, që të japi leje. As leje që të shkojë para këshillit bashkiak, dhe as këshilli bashkiak të shkojë në burg dhe as zotëria të marri një noter në burg. Unë jam me Shqipërinë. Të jesh me Shqipërinë sot është të jesh me pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Institucionet e drejtësisë nuk janë të shkëlqyera, dakord, por kjo është e vetmja rrugë nëse ne duam që realisht ky vend të bëhet shtet. Është e parë që nga 1912 që ky vend ka një strukturë të drejtësisë të përbërë nga SPAK dhe Gjykata Speciale ku pushteti ekzekutiv nuk i fut duart dhe nuk ndërhyn.”
“Uroj shumë të dini se çfarë bëni”, Rama zbulon çfarë i tha drejtorit të policisë kur u ndalua Beleri
Kryeministri Rama u shpreh në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN se për arrestimin e Fredi Belerit është njoftuar vetëm kur policia është nisur për të ndërhyrë. Ai ka treguar në A2 CNN se i ka thënë drejtorit të policisë se kjo është një çështje shumë e rëndë dhe duhet të bëjnë kujdes.
“Greqia ka të drejtën e saj të bëjë spekulime duke marrë këto fakte dhe duke i bashkuar me një çështje që nuk ka asnjë lidhje. Kjo është një mënyrë interpretimi. E para, unë nuk jam marrë gjithë fushatën me zotërinë. Unë mund të kem shumë të meta, por budalla nuk jam. Nëse do të kisha dijeni që ndaj tij po bëja hetim, nuk do të kishte sulm politik ndaj tij.
Hetimi ka nisur nga prokuroria e Vlorës dhe nuk është e vërtetë që çdo çështje duhet të hetohet që në gjenezë nga SPAK. Prokuroria ka nisur një hetimin dhe prokuroria nuk varet nga ne. Policia ka marrë dijeni për të ndërhyrë vetëm pak orë para ndërhyrjes. Unë jam njoftuar që policia u nis për të ndërhyrë dhe i kam thënë drejtorit të policisë, uroj shumë të dini se çfarë bëni sepse nëse kjo nuk qëndron, atëherë është shumë e rëndë”.
I pyetur nëse drejtësia po vepron me dy standarde për luftën ndaj krimeve zgjedhore, duke përmendur rastin e Belerit dhe të kryetarit të bashkisë së Rrogozhinës, Rama u shpreh se kjo nuk qëndron pasi në burg kanë përfunduar edhe nga radhët e mazhorancës dhe këtu solli edhe rastin e Safet Gjicit.
“E dyta, është njësoj si të krahasosh një shalqi me një kungull. Blerja e votës dhe kapja në flagrancë është një gjë dhe hetimi për një telefonatë që lidhet me lidhjen elektrike të një familjeje, është një gjë tjetër. Edhe ai i Rrogozhinës po hetohet. Në qeli sot, në paraburgim ka kryetar bashkie të zgjedhur në ato zgjedhje që mbahen atje për seks oral. Jemi në kushtet kur nuk bëjmë dot krahasime fare. Për blerje votash janë dënuar komisionerë të PS-së, janë dënuar, dënohen, ata që kapen dhe provohen. Thelbi në këtë histori është që Greqia nuk ka asnjë të drejtë. Ne kemi një drejtësi për të gjithë dhe jo e ndarë, nuk është një çështje e minoritetit”, tha Rama.
Drejtësia e re, Rama: Nuk varet nga pushteti, të vazhdojë drejt, pa parë majtas-djathtas
Kryeministri Edi Rama tha se kjo drejtësi nuk është perfekte dhe se ka problemet e saj, por thekson se për një gjë që është i sigurt është fakti që ky pushtet është krejtësisht i pavarur. I ftuar në A2 CNN në Debat nga Alba Alishani, Rama tha se kjo qeveri nuk po ndikon në drejtësinë e re, ndryshe nga sa pretendon opozita.
“Nuk është e përkthyer dhe ka gabimet e saj, se pot ë ishte e përkthyer nuk do ishte një strukturë e re e drejtësisë, por një prodhim magjik i universit, ama që kjo strukturë e re e drejtësisë po bën gjëra që deri para pak vitesh shqiptares jo vetëm që nuk i kanë pritur, por as nuk e imagjinonin.
Një strukturë drejtësie që nuk varet nga pushtetit, rezultat i këtij të vazhduarit drejt, pa parë majtas e djathtas është që njerëz të lidhur me pushtetin shkojnë prapa hekurave, kur janë për të shkuar prapa hekurave”, tha Rama.
Beleri dhe Memolla, drejtësia me dy standarde? Rama: S’ka krahasim, në qeli edhe kryetar për seks oral
I ftuar në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, kryeministri Rama u pyet nëse drejtësia po vepron me dy standarde për luftën ndaj krimeve zgjedhore, duke përmendur rastin e Belerit dhe të kryetarit të bashkisë së Rrogozhinës.
Rama u shpreh se kjo nuk qëndron pasi në burg kanë përfunduar edhe nga radhët e mazhorancës dhe këtu solli edhe rastin e Safet Gjicit.
“E dyta, është njësoj si të krahasosh një shalqi me një kungull. Blerja e votës dhe kapja në flagrancë është një gjë dhe hetimi për një telefonatë që lidhet me lidhjen elektrike të një familjeje, është një gjë tjetër. Edhe ai i Rrogozhinës po hetohet. Në qeli sot, në paraburgim ka kryetar bashkie të zgjedhur në ato zgjedhje që mbahen atje për seks oral. Jemi në kushtet kur nuk bëjmë dot krahasime fare. Për blerje votash janë dënuar komisionerë të PS-së, janë dënuar, dënohen, ata që kapen dhe provohen. Thelbi në këtë histori është që Greqia nuk ka asnjë të drejtë. Ne kemi një drejtësi për të gjithë dhe jo e ndarë, nuk është një çështje e minoritetit”, tha Rama.
Ndërkohë, Rama u shpreh se për arrestimin e Fredi Belerit është njoftuar vetëm kur policia është nisur për të ndërhyrë. Ai ka treguar në A2 CNN se i ka thënë drejtorit të policisë se kjo është një çështje shumë e rëndë dhe duhet të bëjnë kujdes.
“Greqia ka të drejtën e saj të bëjë spekulime duke marrë këto fakte dhe duke i bashkuar me një çështje që nuk ka asnjë lidhje. Kjo është një mënyrë interpretimi. E para, unë nuk jam marrë gjithë fushatën me zotërinë. Unë mund të kem shumë të meta, por budalla nuk jam. Nëse do të kisha dijeni që ndaj tij po bëja hetim, nuk do të kishte sulm politik ndaj tij.
Hetimi ka nisur nga prokuroria e Vlorës dhe nuk është e vërtetë që çdo çështje duhet të hetohet që në gjenezë nga SPAK. Prokuroria ka nisur një hetimin dhe prokuroria nuk varet nga ne. Policia ka marrë dijeni për të ndërhyrë vetëm pak orë para ndërhyrjes. Unë jam njoftuar që policia u nis për të ndërhyrë dhe i kam thënë drejtorit të policisë, uroj shumë të dini se çfarë bëni sepse nëse kjo nuk qëndron, atëherë është shumë e rëndë”.
Socialistët e goditur nga drejtësia, Rama: Ahmetaj i ka bërë punët që i kam kërkuar
Në Debat në A2 CNN, kryeministri Edi Rama foli dhe për zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste dhe maxhorancës që janë goditur nga drejtësia e re, mes të cilëve dhe për Arben Ahmetajn.
Rama u shpreh se Ahmetaj i ka kryer të gjitha detyrat e kërkuara teksa ishte në qeveri, teksa nëse ai ka pasur një agjendë të fshehtë për të përfituar, duhet të mbajë përgjegjësi personale për këtë gjë.
“Unë njerëz të mi kam Lindën, Grekun, Zahon, të gjithë të tjerët janë anëtarët e një familje politike, që e kanë kokën mbi supe dhe janë adult. Punët që i kam kërkuar Arben Ahmetajt i ka bërë. E vërtetë që e kam zgjedhur unë. Unë njerëzi i marr i mbështes për qëllimet e shpallura. Përgjegjësia ime është që të garantoj që ky vend të ketë drejtësi që shqiptarët të mos goditen pas shpine nga njerëz që iu japin votën”, tha Rama.
Rama "mburret" me Reformën në Drejtësi: Ishte projekt dhe vullnet i PS, Amerikanët kanë vetëm një meritë
Të gjitha meritat për suksesin e reformës në drejtësi i shkojnë qeverisë së Partisë Socialiste. Këtë qëndrim mbajti kryeministri Edi Rama në emisionin “Debat” në A2CNN, kur u vendos përballë faktit se ishin ndërkombëtarët që me presion dhe rekomandime bënë bashkë klasën politike për ta votuar vettingun dhe ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë.
“E para Partia Socialiste e ka nisur reformën drejtësi në ditën një të qeverisjes së saj dhe e ka nisur sepse e ka pasur në program në opozitë. Në programin elektoral, zgjedhor ka pasur këtë reformë dhe asnjë bashkëpunim me aleatët strategjikë. E dyta reforma ka kaluar mbasi është punuar intensivisht nga një komision ekspertësh dhe është udhëhequr nga PS. Gjatë gjithë kohës është ndërvepruar me aleatët strategjikë pikërisht për ta garantuar reformën. Kurrë asnjëherë ti nuk nxjerr dot një fakt që komisioni i reformës ka propozuar një nen të vetëm ku ka tentuar të kapi drejtësinë. S’e nxjerr dot se nuk ka. Kreu i komisionit për reformën në drejtësi ka qenë Fatmir Xhafaj. Nëse Fatmir Xhafaj nuk është i PS atëherë pastaj i bie që të gjithë të tjerët nuk e dimë se të kujt jemi. Ka pasur në përbërjen e vetë një pjesë të rëndësishme të mendimit juridik të PS.”
Sali Berisha? Rama: Kush është ky? Ku punon? S’e njoh! Ça është Rithemelimi?
Kryeministri Edi Rama ka bërë me ironi sa i përket kundërshtarit të tij politik Sali Berisha. Teksa iu soll në vëmendje se Berisha ka treguar emrat e ministrave që do të shkarkohen dhe emërohen, Rama nuk i ka kursyer ironitë. “Sali Berisha? Kush është ky? Ku punon? Nuk e njoh! Ça është Rithemelimi, se di, nuk jam i informuar”, tha Rama. Ndërkohë, kreu i qeverisë refuzoi që të japë detaje nga Kongresin e Jashtëzakonshëm të PS.
Korrupsioni në Shqipëri, Rama: S’jam këtu “kush ha dardha dhe kush nuk ha dardha”
Në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, Edi Rama u pyet nga gazetari Lutfi Dervishi nëse kryeministri ka vendosur mekanizma të tjerë për të zbuluar zyrtarët e përfshirë në korrupsion. Ai u shpreh se nuk është në pozicionin e kryeministrit për të hetuar njerëzit. “Më gjej një pikë të detyrave të mia që unë të merrem se kush ha dardha dhe unë nuk e kam zbatuar. Unë nuk jam këtu për të marrë nën hetim njerëzit. Unë nuk jam këtu kush ha dardha dhe kush nuk ha dardha.
Duhet të kuptoni një gjë se reformimi dhe transformimi i një ngrehinë të shkatërruar nga të gjitha anët, nuk është një çështje kaq e thjeshtë dhe trajtohet dhe zgjidhet brenda një periudhe 10 vjeçare. Nëse t’i vazhdon përmirësimin, patjetër që do të ndodhin nga këto.
Gjëja që ne kemi bërë ka qenë që të adresojmë krahas reformës në drejtësi të adresojmë sistemet. Kemi bërë progres, por ka shumë punë për të bërë që ta shkëpusim individin nga monopoli i vendimmarrjes”, tha Rama.
“Prokurimet nga Inteligjenca Artificiale”, Rama: Shumë anëtarë komisionesh janë goditur nga padija
Kryeministri Edi Rama zbuloi në A2 CNN se mazhoranca po përgatit disa ndryshime në ligjin për prokurimet publike, duke përfshirë aty agjenci ndërkombëtare, madje dhe Inteligjencën Artificiale.
Sipas Ramës, aktualisht çdo institucion në Shqipëri bën prokurime publike, por anëtarët e këtyre komisioneve duhet të jenë ekspertë. Ai shtoi se shumë anëtarë të komisioneve të prokurimeve janë goditur nga drejtësia, për shkak të padijes dhe për këtë arsye ligji duhet reformuar.
“Do të çojmë në parlament ndryshime në ligjin për prokurimet publike. Po ngremë një sistem të ri për prokurimet. Çdo institucion në Shqipëri bën tenderë dhe kjo kërkon ekspertë. Një pjesë e anëtarëve që përfundojnë si dëme kolaterale nga drejtësia, janë si pasojë e padijes dhe jo se janë të përfshirë në korrupsion. Ne kemi futur aty agjenci ndërkombëtare për prokurime. Kam besim që të fusim aty inteligjencën artificiale dhe të mos ketë njerëz fare. Është një punë që po bëhet me Microsoft”, tha Rama.
A do të kemi ndryshime në qeveri më 8 dhjetor dhe zgjedhje të parakohshme?
Kryeministri Edi Rama në “Debat”, në A2CNN, i ka dhënë përgjigje zërave se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, si një zgjidhje për t’i dhënë fund kaosit në jetën parlamentare. Sipas shefit të qeverisë, PS po përgatitet për procesin zgjedhor të 2025 dhe asgjë të ngjashme, në një kohë të afërt siç pretendohet nga opozita.
“PS fiton për shumë arsye dhe fiton sepse është gjithmonë disa hapa përpara gjithë të tjerëve dhe është gjithmonë në përpjekje për të rikrijuar vetveten. Duke nxjerrë mësime nga çfarë erdhi nga zgjedhjet e mëparshme dhe Përgatitemi për zgjedhje të tjera. Jo të parakohshme, të tjera”, tha Rama.
Shefi i qeverisë hodhi poshtë edhe zërat, kryesisht nga grupi i Rithemelimit që thonë se do të ketë ndryshime në qeveri, që do të njoftohen në Kongresin e PS.
“Çfarë ndryshimesh. Pse duhet të bëj ndryshime në qeveri në Kongres? Ato që janë befasi nuk thuhen para kohe e para. E dyta nuk ka ndryshime të kësaj natyre”, tha Rama.
Sa i përket përzgjedhjes për të zhvilluar Kongresin më 8 dhjetor dhe simbolikës që përfaqëson kjo datë për demokratët, Rama tha: “Është ditë pushimi, është dita e rinisë dhe është një ditë e mirë për të bërë një kongres”.
Rama: Nëse Kosova do pranonte propozimin tim për Asociacionin, do kishte rezultat më të mirë
Kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimet në veri të Kosovës, ku tha se Shqipëria ka mbajtur qëndrimin e duhur. I ftuar në A2 CNN, në emisionin Debat nga Alba Alishani, Rama tha se Kosova do duhet t’ia imponojnë Serbisë njohjen e Kosovës, vetëm duke u ulur në tryezë.
“Nuk kam pasur iluzione për asnjë, nga këto aktorët publik që i njoh, nuk kam qëndrime për të modifikuar, të kthehesha pas ,do i bëja sërish, nuk jam i kushtëzuar në qëndrimet e mia, kur ndodh diçka si në Banjskë mbajta qëndrimin e duhur, nuk duhet të jemi linear, por fleksibël në përpjekje për ta çuar kauzën aty ku duhet, dhe kjo arrihet vetëm të mundin Serbinë në tryezë, ta imponojmë në tryezë njohjen e Kosovës.
Ai tha se nëse Kosova do të pranonte propozimin e tij për Asociacionit, do kishte rezultate më të mira.
“Tani që është bërë fakt publik propozimi që kam bërë unë për Asociacionit, e kanë parë që do ishte më e udhës të mos ta kishin përjashtuar, por ta kishin lexuar, se do kishin dalë në një rezultat edhe më të mirë”, u shpreh kreu i qeverisë.
Emigrantët në Shqipëri, fabrika e Fiatit në Serbi, Rama përgjigjet në A2 CNN për marrëveshjen me Italinë
Një ndër lajmet më të komentuara gjatë ditëve të fundit ka qenë vizita e kryeministres së Italisë në Serbi dhe deklarata për fabrikën e Fiatit në shtetit ballkanik. Kryeministri Rama u pyet për marrëveshjen e emigrantëve dhe u shpreh se emigrantët nuk kanë asnjë lidhje me jetën sociale të Shqipërisë.
“Emigrantët do të vijnë, do të shkojnë në një qendër të mbyllje pritjeje dhe nuk kanë asnjë lidhje me jetën sociale të Shqipërisë.
Emigrantët dalin nga kampi për të ikur drejt aty ku e kanë objektivin. Ata nuk dalin në autostradë dhe bllokojnë autobusët, gjejnë rrugët dhe ikin. Qendrat e mbyllura nuk janë një zgjidhje ideale. Por ne nuk mund t’i japim zgjidhje një problemi Europian”, tha Rama.
Ndërkohë, ai u shpreh se marrëveshja për fabrikën e Fiatit në Serbi daton që pas viteve 1990. “Italia nuk çon fabrika gjëkundi. Fabrikat i çon biznesi. Marrëveshja me Fiatin daton që pas viteve 90, pas luftës”, tha Rama në A2 CNN. (A2 Televizion)